PRESIDENTJA E KOSOVËS PËR PROJEKTLIGJIN AMERIKAN MBI TRAJTIMIN E PAKICAVE ETNIKE NË SERBI

Vjosa Osmani: “Sinjali amerikan hap rrugë për trajtim institucional të pasivizimit”

Foto: www.vijesti.me

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur avancimin e nismës për vlerësimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës në Kongresin amerikan, duke theksuar se ky hap shënon një moment të rëndësishëm politik dhe institucional. Sipas saj, ky zhvillim përcjell mesazhin se diskriminimi ndaj bashkësisë shqiptare në Serbi nuk është më i padukshëm dhe nuk mund të tolerohet. Ajo vlerësoi se për vite me radhë Serbia ka zbatuar politika dhe praktika autoritare ndaj pakicave kombëtare, veçanërisht ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke i ekspozuar ata ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut.

Osmani përshëndeti vendimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, i cili më 21 janar votoi për avancimin e projektligjit që i kërkon Sekretarit amerikan të Shtetit të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me theks të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ajo falënderoi kongresmenin Keith Self, sponsorin e iniciativës, si dhe kryetarin e Komitetit, Brian Mast, dhe anëtarët e tjerë që e mbështetën projektligjin me konsensus dypartiak, duke e cilësuar këtë mbështetje si një sinjal të fortë politik dhe institucional nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Projektligji synon të vlerësojë disa çështje kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim – përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës – si dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Çështja e pasivizimit është përmendur edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Serbi për vitin 2023, duke konfirmuar se kjo praktikë tashmë është pjesë e vëzhgimit ndërkombëtar.

Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani ka veçuar posaçërisht praktikën e pasivizimit të adresave, duke e cilësuar atë si një fushatë të qëllimshme që synon spastrimin etnik përmes mjeteve administrative. Sipas saj, pasivizimi nuk është një procedurë teknike apo administrative e zakonshme, por një mekanizëm që fshin qytetarët shqiptarë nga sistemi shtetëror, duke ua mohuar shtetësinë dhe, bashkë me të, të drejtat më elementare civile – nga e drejta e votës dhe e pronës, te sigurimi shëndetësor, pensioni dhe punësimi. I shoqëruar me shtypjen e gjuhës shqipe, diskriminimin në arsim, mospërfshirjen në institucionet publike, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore, pasivizimi ka prodhuar pasiguri të thellë, frikë dhe zbrazje të heshtur të Luginës së Preshevës, për çka shqiptarët atje janë ankuar dhe kanë protestuar vazhdimisht ndër vite.

Ky reagim i Presidentes Osmani vjen në një moment kur pasivizimi i adresave nuk shihet më vetëm si problem lokal i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por si një çështje serioze e të drejtave të njeriut me implikime ndërkombëtare. Për shumë familje shqiptare, pasivizimi ka nënkuptuar humbjen e dokumenteve, të drejtës për një jetë normale dhe ndjenjën e përjashtimit nga shteti ku kanë jetuar prej brezash. Avancimi i projektligjit në Kongresin amerikan po shihet si një hap drejt njohjes së vuajtjeve të tyre dhe si një shpresë se praktikat diskriminuese nuk do të mbeten më të fshehura pas procedurave administrative, por do të trajtohen me përgjegjësi politike dhe institucionale në nivel ndërkombëtar.

 

Shpërndaje në: