KAMBERI DHE REXHEPI NË AMBASADËN AMERIKANE

Pasivizimi, temë qendrore e përfaqësuesve shqiptarë me diplomacinë amerikane në Serbi

Foto: Shaip Kamberi fb

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Republikës së Serbisë dhe njëherësh kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Pakicës Shqiptare Shqiptare në Republikën e Serbisë, Enkel Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Alexander Titolo. Në këtë takim është diskutuar për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për sfidat konkrete që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të këtij komuniteti.

Sipas njoftimit të bërë publik nga Kamberi, biseda është përqendruar në disa prej çështjeve më të ndjeshme, ndër të cilat një vend të veçantë ka zënë praktika e pasivizimit të adresave. Kjo çështje është paraqitur jo vetëm si një problem administrativ, por si një realitet që prek drejtpërdrejt qytetarët, duke ndikuar në statusin e tyre juridik dhe në ushtrimin e të drejtave bazë.

Është theksuar se për shumë qytetarë, pasivizimi nënkupton më shumë se një procedurë formale, pasi lidhet me vështirësi konkrete në jetën e përditshme, si pajisja me dokumente personale, qasja në shërbime publike, regjistrimi civil dhe pjesëmarrja në procese zgjedhore. Në këtë kuptim, ai ndikon drejtpërdrejt në përfshirjen qytetare dhe në ndjenjën e sigurisë juridike.

Përveç pasivizimit, në takim janë trajtuar edhe çështje të tjera që lidhen me pozitën e shqiptarëve në Luginë, si përfaqësimi i pamjaftueshëm në polici, gjyqësor dhe administratë publike, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, si dhe pengesat në funksionimin e fondeve zhvillimore. Po ashtu, është përmendur edhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe sfidat që lidhen me mbështetjen financiare nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit kanë theksuar se këto çështje janë të njohura prej vitesh dhe janë përfshirë në dokumente si Plani 7 pikësh i vitit 2013 dhe Plani Aksional për integrimin e shqiptarëve i vitit 2022, por zbatimi i tyre mbetet i kufizuar dhe pa rezultate të prekshme.

Në takim është vlerësuar roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një partner i rëndësishëm në promovimin e të drejtave dhe stabilitetit në rajon. Njëkohësisht, është theksuar nevoja që këto çështje të vazhdojnë të adresohen përmes dialogut institucional dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë.

Kamberi ka theksuar se, për shkak të mungesës së progresit në nivel vendor, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë kanë intensifikuar përpjekjet për t’i ngritur këto çështje edhe në nivel ndërkombëtar, përfshirë institucionet amerikane. Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe iniciativat në Kongresin e SHBA-së, ku është trajtuar pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në fund, ai ka theksuar lidhjen e këtyre çështjeve me Rezolutën (H.R. 6411) në Kongresin amerikan, e cila adreson të drejtat e shqiptarëve në Serbi, përfshirë edhe pasivizimin e adresave.

 

Shpërndaje në: