DËSHMI PERSONALE MBI PASIVIZIMIN E ADRESAVE

Si u fshiva administrativisht nga vendlindja ime

Foto: www.luginalajmi.com

Ky tekst paraqet një dëshmi personale mbi pasivizimin e adresave dhe pasojat e tij, duke treguar humbjen e të drejtave civile dhe juridike të një personi publik të njohur nga Bujanoci, i cili për arsye personale paraqitet në mënyrë anonime.

Viti 1999 ma ndryshoi jetën përgjithmonë. Fillimi i bombardimeve të NATO-s, si pasojë e luftës së përgjakshme në Kosovë, e përmbysi edhe jetën time. Në atë kohë isha absolvente e gjuhës angleze në Prishtinë, e lindur dhe e rritur në Bujanoc, por pa pasaportë të vlefshme, pasi dokumenti paraprak më kishte skaduar.

Ishin ditë ankthi dhe pasigurie. Për ne shqiptarët e Bujanocit, jeta ishte veçanërisht e rëndë. Me shumë mund dhe frikë arrita të pajisem me pasaportën e kaltërt të Jugosllavisë, me afat dhjetëvjeçar, vetëm aq sa të mund të largohesha drejt Maqedonisë së atëhershme, për të shpëtuar veten.

Në Tetovë u bashkova me të fejuarin tim nga Prishtina dhe, mes pasigurive dhe frikës për të nesërmen, morëm vendimin më të madh të jetës sonë: të migronim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerika u bë vendi ku filluam gjithçka nga e para, ku ndërtuam jetën tonë dhe krijuam familjen tonë gjashtëanëtarëshe. Edhe pse larg vendlindjes, mendja dhe zemra ime mbetën gjithmonë në Bujanoc.

Për shumë vite nuk pata mundësi të kthehesha shpesh as në Kosovë, as në Bujanoc. Fëmijët ishin të vegjël, puna dhe dokumentet e udhëtimit e bënin çdo ardhje të vështirë. Në vitin 2015, kur fëmijët u rritën pak dhe unë kisha më shumë kohë, vendosa të kthehem për tre muaj. Doja të çmallem me babain tim të sëmurë dhe, njëkohësisht, të ripërtërij pasaportën dhe letërnjoftimin tim.

Me të gjitha dokumentet e nevojshme në dorë, të nxjerra në komunë, u paraqita në Stacionin e Policisë në Bujanoc. Ia dorëzova zyrtarit pasaportën time të skaduar dhe i shpjegova se kisha ardhur për të aplikuar për dokumente të reja të Serbisë, si trashëgimtare e ish-Jugosllavisë. Më pyeti se nga isha. I thashë se jam nga Bujanoci, e lindur këtu. Më pyeti se ku jetoja, pasi në sistem shihej se që nga viti 1999 nuk kisha udhëtuar me atë pasaportë. I thashë se jetoj në Teksas, në SHBA.

E mori pasaportën time të skaduar dhe doli nga zyra. Kur u kthye, më tha se policia duhet të vijë për të verifikuar adresën ku jam e paraqitur. I shpjegova se jam në shtëpinë e babait, aty ku kam lindur dhe ku gjithmonë ka qenë adresa ime. Më pyeti nëse kisha ndonjë adresë tjetër. I thashë se po, kam adresë banimi në Amerikë. Pastaj më pyeti sa do të qëndroja në Bujanoc. I thashë rreth dy muaj.

“Në rregull,” më tha, “prite policinë për verifikim.”

M’i ktheu dokumentet, por jo pasaportën e skaduar.

Qëndrova në Bujanoc edhe dy muaj të plotë. Nuk u largova as në Prishtinë. Prisja çdo ditë. Policia nuk erdhi kurrë. Në fund u detyrova të kthehem në Teksas, ashtu siç e kisha planifikuar, por pa u bërë verifikimi.

Katër muaj më vonë, dy policë shkuan në shtëpinë e familjes sime në Bujanoc dhe më kërkuan mua. Natyrisht, unë nuk isha aty. Vëllezërit dhe kunatat ua thanë të vërtetën: se unë kisha qëndruar dy muaj në Bujanoc duke i pritur për verifikim dhe se policia nuk kishte ardhur. Pa asnjë sqarim, pa asnjë kontakt me mua, ata plotësuan një procesverbal dhe i njoftuan familjarët e mi se, që nga ajo ditë, adresa ime ishte pasivizuar. Një vit më vonë, pas verifikimeve të bëra nga familja ime, u konfirmua se adresa ime vërtet ishte pasivizuar.

Ajo që dhemb më shumë është se mua kurrë nuk më erdhi ndonjë vendim zyrtar për këtë pasivizim. Asnjë letër. Asnjë njoftim. Sot nuk jam më në listën e votuesve dhe kam humbur të gjitha të drejtat në vendin ku kam lindur – në Bujanoc.

Është e dhimbshme që një vajzë e lindur dhe e rritur këtu, nga një familje që i ka dhënë shumë këtij qyteti, të mbetet pa zë dhe pa ekzistencë juridike në vendlindjen e vet. Të humbasë edhe të drejtën e trashëgimisë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

 

Shpërndaje në: