INTERVISTË PËR « NOVI MAGAZIN »– DEPUTETI SHQIPTAR NË KUVENDIN E SERBISË

Shaip Kamberi: «Pasivizimi nuk është çështje teknike, por një formë e dhunës së heshtur shtetërore»

Foto: www.nova.rs

Në një intervistë të gjerë për Novi Magazin të Beogradit, të publikuar më 23 janar 2026, deputeti i vetëm i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Republikës së Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, e përshkruan pasivizimin e adresave si një nga mekanizmat më të rrezikshëm të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas tij, kjo praktikë administrative nuk është çështje teknike, por një formë e dhunës së heshtur shtetërore, e cila i shtyn qytetarët drejt largimit dhe ndryshon përbërjen etnike të rajonit.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme politike në Serbi në fillim të vitit 2026, Kamberi vlerëson se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Institucionet, sipas tij, janë zbrazur nga funksioni real, besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor është dëmtuar rëndë, ndërsa pushteti është përqendruar në duart e një rrethi të ngushtë. Megjithatë, ai thekson se hapësira për ndryshim ekziston, por ajo nuk vjen nga strukturat qeverisëse, por nga shoqëria dhe presioni qytetar.

Në këtë kontekst, Kamberi flet edhe për protestat studentore dhe qytetare të javëve të fundit, duke i cilësuar ato si shprehje autentike të pakënaqësisë së thellë shoqërore. Megjithatë, ai paralajmëron se protestat, pa u shndërruar në kërkesa të qarta politike, strategji dhe alternativë demokratike proevropiane, nuk mjaftojnë për një përmbysje reale të sistemit autoritar. Pa këtë artikulim, ekziston rreziku që pushteti të mbijetojë dhe autoritarizmi të forcohet edhe më tej.

Nga ana tjetër, kur flet për të drejtat e pakicave, Kamberi vëren se ato ende nuk janë trajtuar si pjesë përbërëse e luftës për demokraci në Serbi. Ai pranon se agjenda antikorrupsion e protestave është e rëndësishme, por mungon një platformë e qartë për të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, raportin me të kaluarën dhe me fqinjët. Sidoqoftë, protestat kanë hapur hapësirë për debat mbi zbatimin selektiv të ligjit dhe pabarazinë institucionale – pikërisht realitetin me të cilin përballet prej vitesh komuniteti shqiptar.

Në këtë sfond të përgjithshëm demokratik, pasivizimi i adresave shfaqet si një nga temat më shqetësuese. Kamberi është i prerë se nuk ka asnjë dilemë: bëhet fjalë për diskriminim sistemik politik. Sipas tij, pasivizimi nuk zbatohet në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve të Serbisë, por në mënyrë selektive dhe pothuajse ekskluzivisht ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Qëllimi, thotë ai, është i qartë – zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në listat zgjedhore, dobësimi i ndikimit të tyre politik dhe ndryshimi afatgjatë i strukturës etnike të rajonit.

“Pasivizimi i adresës”, thekson Kamberi, “do të thotë që qytetari praktikisht pushon së ekzistuari për shtetin”. Pasojat janë të rënda dhe gjithëpërfshirëse: humbja e së drejtës së votës, e sigurimit shëndetësor, e ndihmave sociale, e mundësisë për punësim dhe madje edhe e dokumenteve personale. Kjo praktikë, e zbatuar shpesh pa njoftim dhe pa procedurë transparente, bie ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Në kombinim me problemin e mosnjohjes së diplomave, pasivizimi – sipas Kamberit – shndërrohet në një mekanizëm që e shtyn veçanërisht rininë shqiptare të braktisë vendlindjen në kërkim të perspektivës. Ai e përshkruan këtë si një formë të “pastrimit administrativ etnik”, një proces që shkatërron familje dhe zbraz gradualisht rajonin.

Deputeti shqiptar kujton se për këtë çështje ka informuar institucionet evropiane dhe Kongresin amerikan. Megjithëse ka pasur deklarata shqetësimi dhe përmendje në rezoluta dhe raporte zyrtare, përfshirë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025, garanci konkrete për ndalimin e kësaj praktike ende nuk ka. Për këtë arsye, thotë Kamberi, presioni ndërkombëtar mbetet mjeti i vetëm i mbetur.

Në pjesën e fundit të intervistës, Kamberi flet edhe për tema të tjera të rëndësishme, përfshirë dialogun Beograd–Prishtinë, të cilin e cilëson si të ngrirë dhe të reduktuar në mirëmbajtje teknike, pa vullnet politik real. Ai thekson se pa trajtimin e çështjeve thelbësore politike, përfshirë pozitën e shqiptarëve në Serbi dhe të serbëve në Kosovë si pjesë e të njëjtit paket normalizimi, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë.

Një tjetër temë që Kamberi rikthen në vëmendje është moszbatimi i “Planit shtatëpikësh” për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, i miratuar nga Qeveria e Serbisë më shumë se një dekadë më parë. Sipas tij, edhe pse janë miratuar plane dhe dokumente shtesë, përfshirë një plan veprimi për periudhën 2023–2026, zbatimi real nuk ka nisur asnjëherë, ndërsa shqiptarët mbeten pothuajse të përjashtuar nga drejtësia, administrata dhe strukturat e sigurisë.

Në përmbyllje, Kamberi shpreh skepticizëm se pa ndryshime të thella politike do të ketë përmirësim real të pozitës së shqiptarëve në jug të Serbisë. Shenja e parë e një kthese demokratike, sipas tij, do të ishin zgjedhje të lira e të ndershme, një gjyqësor i pavarur, media të lira dhe ndalimi i menjëhershëm i diskriminimit sistemik, përfshirë pasivizimin e adresave. Mesazhi i tij për shqiptarët e Luginës është të qëndrojnë të palëkundur, politikisht aktivë dhe të vetëdijshëm se lufta për të drejtat e tyre është e pandashme nga lufta për një Serbi demokratike dhe evropiane.

 

 

Shpërndaje në: