BRUKSELI KËRKON LLOGARIDHËNIE NGA SERBIA PËR PASIVIZIMIN

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 kërkon më shumë transparencë lidhur me pasivizimin e adresave

Foto: www.illyria.com

Pasivizimi i adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë mbetet një nga problemet më serioze që theksohet sërish në Raportin e Komisionit Evropian për Serbinë 2025. Në dokumentin e publikuar më 29 tetor 2025 (SWD (2025) 755 final), Komisioni Evropian vë në dukje se ky proces vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës/Jug të Serbisë dhe mbetet i paqartë në aspektin ligjor dhe institucional.

Në pjesën “Mbrojtja e pakicave”, raporti thekson se “anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare vazhduan të shprehin shqetësime në lidhje me mënyrën se si policia po kontrollon statusin e vendbanimit në Luginë të Preshevës/Jug të Serbisë, çka ka rezultuar në pasivizimin e disa adresave”. Komisioni kërkon nga autoritetet serbe që të sqarojnë publikisht procedurat që po zbatohen dhe të garantojnë mjete efektive juridike për qytetarët e prekur.

Ky fenomen është përmendur për disa vite me radhë në raportet e Komisionit Evropian dhe në opinionet e Komitetit Këshillues të Këshillit të Evropës për Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (FCNM). Edhe në opinionin e pestë të këtij komiteti është ngritur shqetësimi për mungesën e transparencës, mosinformimin e qytetarëve dhe mungesën e mekanizmave të ankesës që do të mundësonin rivendosjen e adresave të pasivizuara.

Pasivizimi i adresave, që në praktikë nënkupton heqjen e vendbanimit nga regjistri civil, i privon qytetarët nga një sërë të drejtash – duke filluar nga rinovimi i dokumenteve të identifikimit, pjesëmarrja në zgjedhje, e deri te qasja në shërbimet publike. Për komunitetin shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ky proces perceptohet si diskriminues dhe politikisht i motivuar, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në strukturën demografike të rajonit.

Raporti vëren gjithashtu se korniza ligjore për mbrojtjen e pakicave në Serbi mbetet e paplotë, pasi plani i ri i veprimit për të drejtat e pakicave është vonuar ndjeshëm. Komisioni kërkon që Serbia të përfshijë pakicat kombëtare në procesin e konsultimeve dhe të sigurojë funksionimin e pavarur të këshillave kombëtare të pakicave.

Përveç pasivizimit, dokumenti thekson se shqiptarët në jug të Serbisë vazhdojnë të përballen me diskriminim institucional, përfaqësim të pamjaftueshëm në administratën publike dhe polici, mungesë tekstesh shkollore në gjuhën shqipe, si dhe kufizime në përdorimin e gjuhës amtare dhe në qasjen në shërbimet fetare. Gjithashtu, Komisioni evidenton se retorika e urrejtjes ndaj pakicave kombëtare në media dhe nga zyrtarë publikë mbetet e pranishme.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 është një ndër dokumentet më të qarta ndërkombëtare që e përmend hapur çështjen e pasivizimit të adresave si një formë që cenon të drejtat themelore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar nga autoritetet serbe transparencë, përgjegjësi dhe respektim të standardeve të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.

Shpërndaje në: