ZGJEDHJET DHE PASIVIZIMI

Pasivizimi si realitet zgjedhor

Ndërsa ciklet zgjedhore në Serbi ndërrrohen, aktorët politikë zhvillojnë fushata dhe shpallin procese reformash, një problem në jug të vendit mbetet pothuajse i pandryshuar – pasivizimi i vendbanimit të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar. Edhe pas një procesi tjetër zgjedhor, mijëra qytetarë me kombësi shqiptare në Luginën e Preshevës vazhdojnë të jenë formalisht “të paekzistueshëm” në sistem, pa mundësi për të realizuar të drejtat themelore qytetare dhe politike.

Me pasivizimin e vendbanimit, qytetarëve u fshihet adresa e qëndrimit të përhershëm nga evidencat zyrtare, duke i bërë ata automatikisht të humbasin të drejtën e votës, dokumentet personale, sigurimin shëndetësor, përfitimet sociale dhe qasjen në shërbimet publike. Edhe pse institucionet e paraqesin këtë masë si një procedurë administrative të orientuar për rregullimin e evidencave, në praktikë ajo prodhon pasoja afatgjata, veçanërisht para dhe gjatë zgjedhjeve.

Për shumë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë zgjedhjet përfundojnë para se të fillojnë. Qytetarët vendbanimi i të cilëve është pasivizuar nuk gjenden në listat zgjedhore, nuk mund të zgjedhin dhe as të zgjedhen. Kështu pjesëmarrja e tyre politike faktikisht hiqet, ndërsa rezultatet zgjedhore lokale nuk pasqyrojnë më strukturën reale të popullsisë.

Organizatat e shoqërisë civile prej vitesh paralajmërojnë se çështja e pasivizimit nuk zgjidhet në mënyrë sistematike, por përdoret si një praktikë e heshtur administrative që në periudha afatgjata ndikon në përbërjen demografike dhe politike të rajonit. Pavarësisht rekomandimeve të aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ky problem mbetet jashtë fokusit të fushatave parazgjedhore dhe negociatave paszgjedhore.

Partitë politike rrallë e hapin këtë çështje, dhe kur e bëjnë, ajo zakonisht reduktohet në mesazhe deklarative pa zgjidhje konkrete institucionale. Ndërkohë, qytetarët e prekur mbeten të bllokuar në një zonë gri juridike – pa mundësi të dëshmojnë vendbanimin që faktikisht e kanë, por që sistemi nuk ua njeh.

Konteksti më i gjerë është edhe më shqetësues. Përjashtimi i një pjese të popullsisë nga procesi zgjedhor ndikon drejtpërdrejt në besimin ndaj institucioneve demokratike dhe thellon ndjenjën e margjinalizimit. Në një rajon që tashmë është i ngarkuar me sfida historike, etnike dhe ekonomike, moszgjidhja e pasivizimit dobëson më tej kohezionin shoqëror dhe e vështirëson integrimin e komunitetit shqiptar.

Ndërsa posterët zgjedhorë hiqen dhe premtimet politike zbehen, çështja e pasivizimit mbetet e hapur. Pa një zgjidhje sistematike dhe pa një vullnet politik të qartë, çdo cikël zgjedhor i ardhshëm vetëm sa do të konfirmojë të njëjtin problem – që për një pjesë të qytetarëve të Serbisë, e drejta e votës dhe përkatësia në komunitet mbeten të paarritshme.

Shpërndaje në: