PASIVIZMI I ADRESAVE NË SERBI

Pasivizimi në fokus të Kongresit Amerikan

Foto: www.balkanweb.com

Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka marrë një dimension të ri ndërkombëtar pas dëgjimit zyrtar të mbajtur më 2 dhjetor në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për herë të parë, kjo praktikë u trajtua në një institucion të një niveli kaq të lartë në SHBA.

Në seancën e Komitetit për Punë të Jashtme, konkretisht në Nënkomitetin për Evropë, kongresisti Keith Self, kryetar i këtij nënkomiteti, e ngriti publikisht çështjen e pasivizimit, duke theksuar se Serbia angazhohet në çaktivizimin administrativ të vendbanimeve të regjistruara në zonat ku jeton pakica shqiptare, veçanërisht në jug të Serbisë. Ai nënvizoi se një praktikë e tillë është e patolerueshme në një shtet që pretendon të respektojë standardet evropiane të të drejtave të njeriut. Sipas tij, këto veprime jo vetëm që cenojnë drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve, por krijojnë edhe rrezik për destabilizim të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë dëgjimit u sqarua se pasivizimi nënkupton heqjen administrative të adresës së banimit të qytetarëve, shpesh pa një proces transparent dhe pa njoftim të qartë, duke i lënë ata jashtë regjistrave zyrtarë të shtetit. Si pasojë, qytetarët e prekur humbasin të drejtën e votës, përballen me pengesa serioze në ushtrimin e të drejtave pronësore, hasin vështirësi në pajisjen me dokumente personale dhe kufizohen në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, sociale dhe administrative.

Sipas vlerësimeve të paraqitura në Kongres, kjo praktikë nuk është e rastësishme, por funksionon si një mekanizëm sistematik për reduktimin artificial të pranisë së shqiptarëve në strukturat zyrtare dhe në proceset e përfaqësimit institucional. Kjo ndikon drejtpërdrejt në balancat demografike dhe politike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar.

Gjatë seancës u ngrit gjithashtu shqetësimi se Serbia, pavarësisht garancive ligjore që parashikojnë mbrojtjen e pakicave kombëtare, vazhdon të kufizojë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, duke krijuar një ambient institucional përjashtues për shqiptarët etnikë. Këto praktika u vlerësuan si shkelje të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe si faktorë që thellojnë ndjenjën e pasigurisë dhe margjinalizimit brenda komunitetit shqiptar në Serbi.

Qëndrimet e shprehura nga kongresisti Keith Self u mbështetën fuqimisht edhe nga tre dëshmitarët kryesorë të ftuar në dëgjim: Edward P. Joseph, profesor në Johns Hopkins University – SAIS, Luke Coffey, ekspert i politikës së jashtme në Hudson Institute, dhe Max Primorac nga Heritage Foundation. Të tre theksuan se praktikat diskriminuese ndaj shqiptarëve në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përbëjnë një problem serioz të të drejtave të njeriut dhe një burim potencial tensioni për rajonin. Ata nënvizuan se mungesa e reagimit institucional dhe e mekanizmave efektivë të mbrojtjes rrezikon të normalizojë shkeljet dhe të minojë përpjekjet për stabilitet, dialog dhe integrim evropian të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, gjatë dëgjimit u bë e ditur edhe nisma për paraqitjen e një rezolute në Kongresin Amerikan, e cila synon të institucionalizojë shqetësimin për trajtimin e pakicave etnike në Serbi. Kjo rezolutë do t’i kërkojë Departamentit të Shtetit të SHBA-së që të raportojë në mënyrë të rregullt dhe të strukturuar mbi politikat e Beogradit ndaj shqiptarëve etnikë, me fokus të veçantë në praktikën e pasivizimit të adresave dhe pasojat e saj konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve.

Për komunitetin shqiptar në Serbi dhe për qytetarët e prekur drejtpërdrejt nga pasivizimi, ky zhvillim përfaqëson një moment të rëndësishëm, pasi çështja e tyre nuk shihet më si një problem lokal apo i brendshëm i Serbisë, por si një çështje që po monitorohet dhe trajtohet nga aktorë kryesorë ndërkombëtarë.

 

Shpërndaje në: