BREZI NË PRITJE

Pasivizimi i të rinjve: e ardhmja që po zhduket

Foto: www.bhdinfodesk.com

Ndër ata që më fort i ndjejnë pasojat e pasivizimit të vendbanimit gjenden të rinjtë shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Për ta, vendimi administrativ nuk nënkupton vetëm humbjen e adresës në dokumentet personale, por edhe ndërprerjen e rrugës drejtë arsimit, ngritjes profesionale dhe shoqërore në periudhën më të ndjeshme të jetës.

Të rinjtë, vendbanimi i të cilëve është pasivizuar, shpesh përballen me pamundësinë për të regjistruar fakultetin, për të marrë bursë, për të filluar punë apo për të marrë pjesë në programe për të rinjtë që zhvillohen nga institucionet shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare. Pa dokumente të vlefshme dhe adresë zyrtare, ata mbeten të përjashtuar nga sistemi që duhej t’u mundësonte zhvillim dhe pavarësi.

Veçanërisht problematike është se pasivizimi shpesh ndodh pa shpjegim të qartë dhe pikërisht në momentin kur të rinjtë sapo fillojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Në vend të nxitjes për të qëndruar në komunitetin lokal, kjo praktikë tek të rinjtë krijon ndjenjë pasigurie, padrejtësie dhe mos-përkatësie, gjë që shton migrimin dhe largimin nga vendi.

Organizatat që punojnë me të rinjtë paralajmërojnë se në këtë mënyrë humbet një potencial i tërë – një brez që mund të kontribuonte në zhvillimin e komunitetit lokal, por që administrativisht është shtyrë në margjina. Në një shoqëri që tashmë përballet me ikjen e të rinjve, pasivizimi i vendbanimit e përshpejton edhe më shumë këtë proces.

Në një kontekst më të gjerë, përjashtimi i të rinjve nga rrjedhat arsimore dhe shoqërore ka pasoja afatgjata për demokracinë dhe kohezionin social. Të rinjtë që rriten pa ndjenjën se kanë të drejta të barabarta, vështirë se mund të zhvillojnë besim tek institucionet dhe motivim për pjesëmarrje aktive në jetën publike.

Prandaj, çështja e pasivizimit të të rinjve nuk është vetëm një problem administrativ apo minoritar, por një çështje kyçe e së ardhmes së komunitetit. Pa përfshirjen e tyre të plotë, çdo fjalë për zhvillim, integrim dhe stabilitet mbetet një formë pa kurrfar përmbajtje.

 

Shpërndaje në: