PRAKTIKA E PASIVIZIMIT TË ADRESAVE NË SERBI NË AGJENDËN E KONGRESIT AMERIKAN

Pasivizimi i adresave, një hap më afër ligjit në SHBA

Foto: www.luginalajmi.com

Praktika e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka hyrë zyrtarisht në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 21 janar, kjo çështje u diskutua në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e shqetësimeve të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kongresmeni amerikan Keith Self paraqiti projektrezolutën H.R. 6411 – Preshevo Valley Discrimination Assessment Act, e cila synon të vlerësojë dhe adresojë mënyrën se si autoritetet e Serbisë i trajtojnë të drejtat e pakicës shqiptare. Rezoluta u miratua njëzëri nga përfaqësuesit demokratë dhe republikanë, pa asnjë kundërshtim, duke reflektuar një konsensus të rrallë politik mbi rëndësinë e kësaj çështjeje.

Në fjalën e tij, Self theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i brishtë, ku ndarjet etnike, mosbesimi politik dhe krizat e pazgjidhura vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këtë kontekst, ai u ndal veçanërisht te pasivizimi i adresave, një praktikë administrative që, sipas raporteve ndërkombëtare, po përdoret për t’i përjashtuar shqiptarët nga të drejtat e tyre themelore.

Duke iu referuar raportit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (2021) dhe raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025, kongresmeni Self nënvizoi se Serbia vazhdon të përballet me mangësi serioze në mbrojtjen institucionale të pakicave kombëtare. Sipas këtyre dokumenteve, pasivizimi i adresave ua pamundëson qytetarëve shqiptarë qasjen në sigurim shëndetësor, ushtrimin e të drejtës së pronës, punësimin dhe pjesëmarrjen në proceset zgjedhore.

Si ilustrim i pasojave konkrete në terren, gjatë diskutimit u përmend Medvegjë, ku numri i shqiptarëve ka rënë ndjeshëm – nga rreth 4.000 banorë në vetëm 400–500 – një rënie që pasqyron zbrazjen graduale të komuniteteve shqiptare në këtë zonë.

Përveç pasivizimit të adresave, anëtarët e Komitetit trajtuan edhe probleme të tjera që prekin shqiptarët në Serbi, përfshirë mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë, mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe rastet e raportuara të frikësimit dhe presionit institucional.

Anëtari i rangut të lartë i Komitetit, Gregory Meeks, shprehu mbështetjen e tij për rezolutën, duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe llogaridhënia për shkeljet ndaj pakicave etnike janë thelbësore për paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, bëhet fjalë për shqetësime aktuale, jo për probleme të së kaluarës.

Edhe kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Brian Mast, vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit është në interes të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara dhe se adresimi në kohë i tensioneve etnike është kyç për parandalimin e krizave të reja.

Në përfundim, Komiteti votoi njëzëri për procedimin e rezolutës H.R. 6411 drejt Dhomës së Përfaqësuesve me rekomandim pozitiv. Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ky votim përfaqëson një sinjal të qartë se shqetësimet e tyre po dëgjohen dhe po trajtohen në nivel institucional dhe ndërkombëtar.

 

Shpërndaje në: