KOMISIONERI PËR MBROJTJEN E BARAZISË NË BUJANOC

Pasivizimi dhe (pa)barazia para shtetit

Foto: www.ravnopravnost.gov.rs

Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë i Republikës së Serbisë, Milan Antonijeviq, qëndroi më 27 shkurt në Bujanoc, ku zhvilloi takime të ndara me kryetarin e Komunës, Arbër Pajaziti, dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Vizita u fokusua në disa nga çështjet më të ndjeshme që prekin komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

Në qendër të diskutimeve ishin pasivizimi i adresave, punësimi i shqiptarëve në institucionet publike dhe rritja e përfaqësimit të tyre në nivel lokal. Sipas deklarimeve për RTS-in, Komisioneri theksoi se janë hapur tema që lidhen me përfaqësimin në administratën publike dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe me nevojën për bashkëpunim me ministritë përkatëse për adresimin e këtyre çështjeve. Ai përmendi gjithashtu diskutimet me Ministrinë e Arsimit për arsimin fillor e të mesëm dhe funksionimin e shkollës së muzikës në Bujanoc.

Sa i përket pasivizimit të adresave, Antonijeviq pranoi se kjo mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe kërkon trajtim institucional në koordinim me organet shtetërore. Sipas tij, është e domosdoshme që në bashkëpunim me ministritë përkatëse të gjenden mekanizma për adresimin e kësaj problematike. Në këtë drejtim, u përmend edhe mundësia e një fushate sensibilizuese lidhur me pasojat dhe procedurat që lidhen me pasivizimin.

Në deklaratën për RTS-in, Komisioneri u shpreh se u largua nga Bujanoci me përshtypje pozitive dhe me një listë çështjesh që institucioni që ai drejton duhet t’i trajtojë në cilësinë e tij si institucion i pavarur. Ai theksoi se Këshilli Kombëtar Shqiptar prej një viti e gjysmë nuk kishte zhvilluar takim me asnjë institucion shtetëror të nivelit qendror, duke e cilësuar si të rëndësishme hapjen e dialogut institucional.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ngriti publikisht një sërë pyetjesh, duke kërkuar që Komisioneri i Republikës së Serbisë për Mbrojtjen e Barazisë të deklarohet qartë nëse praktika të caktuara përbëjnë diskriminim ndaj komunitetit shqiptar.

Ndër çështjet e ngritura ishin përfaqësimi i ulët ose simbolik i shqiptarëve në institucionet republikane, mungesa e punësimit në polici në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicë, disproporcioni në sistemin e drejtësisë, mungesa e përfaqësimit në institucionet shëndetësore, si dhe pasivizimi masiv i adresave, me pasoja të drejtpërdrejta në humbjen e të drejtave themelore.

Gjithashtu u përmendën mosnjohja e diplomave të lëshuara nga Kosova, mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe dhe zbatimi i pamjaftueshëm i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet publike, si dhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat kolektive dhe individuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kryetari i Komunës së Bujanocit nuk bëri deklaratë publike pas takimit.

Vizita e Komisionerit të Republikës së Serbisë për Mbrojtjen e Barazisë zhvillohet në një moment kur çështja e pasivizimit të adresave po merr gjithnjë e më shumë dimension juridik dhe social. Mbetet për t’u parë nëse dialogu i nisur do të shoqërohet me masa konkrete për rritjen e përfaqësimit dhe integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe për adresimin efektiv të problematikës së pasivizimit.

Shpërndaje në: