TRUPI KOORDINUES NË MBROJTJE TË PASIVIZIMIT

Martinoviq: “Pasivizimi i adresave zbatohet në mënyrë të njëjtë në gjithë Serbinë”

Foto: www.politika.rs

Pas paraqitjeve të deputetit shqiptar Shaip Kamberi në disa media, e veçanërisht pas deklaratave të tij për Novi Magazin të Beogradit, ku pasivizimin e adresave e cilësoi si një formë të rëndë të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ka reaguar kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq.

Në reagimin e tij, Trupi Koordinues hedh poshtë vlerësimet për trajtim selektiv të shqiptarëve dhe thekson se Republika e Serbisë, sipas tij, është shtet demokratik me kuadër të zhvilluar ligjor dhe institucional për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Martinoviq nënvizon se pakica shqiptare gëzon të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe ligje, përfshirë arsimin në gjuhën amtare, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, informimin dhe pjesëmarrjen politike në nivel lokal dhe kombëtar.

Theksi kryesor i reagimit vihet te çështja e pasivizimit të adresave, të cilën Martinoviq e cilëson si “të ashtuquajtur pasivizim”, duke vlerësuar se kjo temë, sipas tij, shpesh keqinterpretohet në publik. Ai thekson se bëhet fjalë për një procedurë administrative që zbatohet ekskluzivisht në bazë të Ligjit për vendbanimin dhe qëndrimin e qytetarëve dhe që është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas Trupit Koordinues, kjo procedurë aplikohet në mënyrë të njëjtë në të gjithë territorin e Serbisë, pa selektivitet në baza kombëtare apo territoriale.

Në reagim thuhet gjithashtu se në çdo rast individual ekziston mundësia e mbrojtjes juridike përmes institucioneve të rregullta të sistemit dhe se pasivizimi nuk përfaqëson politikë shtetërore ndaj një komuniteti të caktuar, por zbatim të ligjit. Qeveria e Serbisë, përmes këtij qëndrimi, vazhdon të insistojë se pasivizimi i adresave është çështje administrative dhe jo instrument diskriminues.

Përveç kësaj, Martinoviq rendit një sërë aktivitetesh dhe masash që, sipas tij, dëshmojnë angazhimin e institucioneve shtetërore për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai përmend investimet në infrastrukturë, arsim, punësim dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale, si dhe masa konkrete në fushën e arsimit në gjuhën shqipe, përfshirë sigurimin e teksteve shkollore, angazhimin e këshilltarëve për gjuhën shqipe dhe përkthimin e literaturës universitare në gjuhën shqipe.

Në komunikatë përmenden edhe investimet në institucionet arsimore, hapja e grupeve të reja parashkollore për fëmijët shqiptarë, si dhe bashkëpunimi i mëhershëm me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Trupi Koordinues thekson se Serbia mbetet e hapur për dialog me përfaqësuesit e pakicës shqiptare dhe se çështjet e ndjeshme duhet të trajtohen përmes bashkëpunimit institucional dhe dialogut, e jo përmes, siç thuhet, interpretimeve të njëanshme të gjendjes në terren.

Reagimi i Martinoviqit vjen në një moment kur çështja e pasivizimit të adresave ka marrë vëmendje të shtuar ndërkombëtare, përfshirë edhe miratimin e Rezolutës H.R. 6411 – Preshevo Valley Discrimination Assessment Act në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila parasheh një vlerësim zyrtar të diskriminimit ndaj shqiptarëve etnikë në Serbi, me theks të veçantë në Luginën e Preshevës. Megjithatë, në reagimin e Trupit Koordinues kjo rezolutë dhe kritikat ndërkombëtare nuk përmenden, ndërsa qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Serbisë mbetet se pasivizimi i adresave është procedurë ligjore, administrative dhe e zbatuar në mënyrë të barabartë në të gjithë vendin.

Shpërndaje në: