INFORMACIONE TË REJA ZYRTARE MBI PASIVIZIMIN NË PRESHEVË DHE BUJANOC

Lutfiu: 200 adresa të shqiptarëve janë pasivizuar gjatë periudhës janar – korrik 2025

Foto: www.lajme24.mk

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Nevzad Lutfiu, ka deklaruar se të gjitha adresat e pasivizuara i përkasin qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë, institucionet shtetërore ende nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se autoritetet përgjegjëse shtetërore kanë pasivizuar 200 adresa të qytetarëve në komunat e Preshevës dhe Bujanocit përgjatë periudhës janar–korrik 2025. Sipas tij, të gjitha adresat e pasivizuara i përkasin shqiptarëve. Por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet. Lutfiu ka bërë të ditur se informacionet i ka siguruar nga stacionet policore në këto dy komuna.

Në njoftimin e tij, Lutfiu ka specifikuar se në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 sosh. Ai ka shtuar se pret një përgjigje shtesë për të konfirmuar saktësinë e të dhënave që ka pranuar nga autoritetet lokale, duke theksuar se procesi i pasivizimit “po ndodh kryesisht ndaj shqiptarëve që për vite kanë ruajtur vendbanimin e tyre, edhe pse përkohësisht jetojnë jashtë vendit”.

Në reagimin e tij, Lutfiu e ka cilësuar këtë proces si “racizëm dhe spastrim etnik”, duke shtuar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë përballur me pasoja administrative dhe juridike pas fshirjes së adresave nga regjistrat civilë.

Pasivizimi i adresave është një çështje që ka shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët prej disa vitesh kanë protestuar duke kërkuar ndalimin e kësaj praktike. Kjo procedurë nënkupton fshirjen e personave nga adresa ku janë të regjistruar në rast se nuk gjenden fizikisht në vendbanimin e tyre gjatë kontrollit të policisë, duke i konsideruar si persona që nuk jetojnë më në atë komunë.

Çështja është përfshirë edhe në raportet ndërkombëtare. Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023 thuhet se pasivizimi është zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, veçanërisht në komunën e Medvegjës. Edhe Bashkimi Evropian, në një deklaratë të nëntorit të vitit të kaluar, është shprehur se është në dijeni të shqetësimeve të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë dhe i ka bërë thirrje Beogradit që të sqarojë këtë çështje në përputhje me standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, që përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në vend. Rajoni i Luginës së Preshevës, që përfshin komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shpesh përmendet në raportet ndërkombëtare si një zonë e margjinalizuar ekonomikisht dhe politikisht, që merr vëmendje kryesisht gjatë fushatave zgjedhore.

Deklarata e Lutfiut u publikua pak ditë pas takimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, me përfaqësues shqiptarë nga Serbia – deputetin Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës Ardita Sinani dhe kryetarin aktual të KKSH-së Enkel Rexhepi. Në këtë takim u diskutua për politikat diskriminuese të autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve dhe për nevojën që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërkohë, Kamberi ka dorëzuar në Kuvendin e Serbisë një draft-rezolutë për të drejtat e shqiptarëve, ku kërkohet pezullimi i menjëhershëm i masave të pasivizimit dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë me qeverinë serbe.

Pasivizimi i adresës për një qytetar nënkupton humbjen e një sërë të drejtash civile dhe ligjore. Personi që i fshihet adresa humb të drejtën për të votuar në zgjedhje, për të marrë dokumente identifikimi, për të regjistruar pronë, për të pasur sigurim shëndetësor dhe për të ushtruar të drejtën e pensionit. Në shumë raste, qytetarët e pasivizuar humbasin edhe mundësinë për t’u punësuar ose për të përfituar nga shërbimet publike që u takojnë si shtetas të Republikës së Serbisë.

Shpërndaje në: