ÇËSHTJA E PASIVIZIMIT NË KUVENDIN REPUBLIKAN

Kamberi kërkon përgjegjësi institucionale dhe hetim mbi pasivizimin

Foto: www.kosovapost.net

Në seancën e 25 nëntorit të Kuvendit të Serbisë, deputeti i vetëm shqiptar, Shaip Kamberi, ka kërkuar që rendi i ditës të plotësohet me shqyrtimin e Rezolutës për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në këtë diskutim, ai vuri në qendër të fjalimit të tij çështjen e pasivizimit të adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e cilësuar këtë praktikë si shkeljen më të rëndë sistematike të të drejtave qytetare ndaj shqiptarëve në Serbi.

Në nisje të fjalës, Kamberi theksoi se Serbia, para se të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet së pari të hyjë “në Evropën e të drejtave”, duke nënvizuar se integrimi evropian nuk matet me tregun, por me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve. Ai theksoi se flet si përfaqësues i dhjetëra mijëra qytetarëve të Luginës, të cilët prej më shumë se dy dekadash përballen me diskriminim institucional dhe një realitet të përditshëm që bie ndesh me garancitë kushtetuese.

Kamberi prezantoi Rezolutën si një dokument tërësisht demokratik dhe evropian, i cili nuk kërkon asgjë më shumë përveç barazisë para ligjit. Ai tha se shqiptarët në Luginë nuk kërkojnë privilegje, por zbatimin e të drejtave bazike që u takojnë si qytetarë të shtetit, përfshirë të drejtën për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, njohjen e diplomave, shërbime dygjuhëshe dhe përfaqësim real në institucionet shtetërore.

Deputeti ndaloi gjerësisht te praktika e pasivizimit të adresave, të cilën e përshkroi si “mjet administrativ që zhduk qytetarët nga sistemi”, duke ua hequr atyre të drejtën e votës, dokumentet bazike dhe statusin civil. Ai theksoi se mijëra shqiptarë janë prekur nga kjo procedurë dhe se askush nuk mund të pretendojë status evropian derisa qytetarëve t’u mohohen të drejtat nëpërmjet mjeteve burokratike.

Ai renditi një sërë problemesh që i konsideroi si dëshmi të diskriminimit institucional: moszbatimi i ligjit për përdorim zyrtar të gjuhëve, mosnjohja e diplomave të Kosovës, mungesa e mbishkrimeve dygjuhëshe, mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në polici, gjyqësor, prokurori dhe në shërbimet inspektuese, si dhe neglizhimi ekonomik që ka shtyrë të rinjtë drejt një largimi masiv nga rajoni.

Në vijim, Kamberi kujtoi se Serbia është zotuar për integrimin e komunitetit shqiptar në disa faza – nga Plani i vitit 2001 për zgjidhjen e krizës, te marrëveshjet e 2009 dhe 2013, e deri te Plani i Veprimit i vitit 2022 – por se këto zotime në praktikë kanë mbetur “vetëm fjalë të vdekura”. Ai shtoi se sot madje funksionarë të Trupit Koordinues mohojnë publikisht edhe ekzistencën e Planit të Veprimit, gjë që e cilësoi si papërgjegjësi dhe mungesë respekti ndaj qytetarëve.

Rezoluta e propozuar nga Kamberi parashikon formimin e një trupi të pavarur parlamentar, i cili, në bashkëpunim me OSBE-në dhe organizatat e shoqërisë civile, do të hetojë pasojat e pasivizimit dhe do të propozojë masa konkrete për rikthimin e të drejtave të mijëra qytetarëve të prekur. Po ashtu, kërkohet njohja përfundimtare e diplomave nga Kosova dhe garantimi i përfaqësimit të barabartë të shqiptarëve në institucionet publike.

Në përfundim të fjalimit, Kamberi theksoi se Lugina e Preshevës nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektimin e ligjeve ekzistuese dhe të zotimeve të dhëna prej dy dekadash: “Nuk kërkon premtime të reja, por zbatimin e atyre të dhëna para 20 vjetësh.” Ai shtoi se miratimi i Rezolutës do të ishte një akt në dobi jo vetëm të shqiptarëve, por të drejtësisë, demokracisë dhe rrugës evropiane të Serbisë.

 

Shpërndaje në: