CILAT JANË MUNDËSITË QË QYTETARËT E SERBISË T'I SHMANGEN PASIVIZIMIT TË ADRESËS DHE T'I MBROJNË TË DREJTAT E TYRE?

Hapat e mundshëm juridik për mbrojtje nga pasivizimi

Foto: www.krusevacgrad.rs

Pas rasteve gjithnjë e më të shpeshta të pasivizimit të adresave, sidomos në zonat jugore të Serbisë, ka një shqetësim në rritje në mesin e qytetarëve lidhur me mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore dhe shmangien e “fshirjes” administrative nga sistemi.

Pasivizimi i adresës është një masë administrative me anë të së cilës Ministria e Punëve të Brendshme arrin në përfundimin se një qytetar nuk jeton në adresën e regjistruar,          që shoqërohet me pasoja të rënda. Njerëzit, adresa e të cilëve është pasivizuar, mbeten pa dokument të vlefshëm të identifikimit, pa sigurim shëndetësor, humbin të drejtën për të votuar dhe madje edhe të drejtën për t’i regjistruar fëmijët në shkollë ose për ta regjistruar automjetin.

Sipas avokatëve dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut, ka disa veprime kryesore që qytetarët mund të ndërmarrin për ta shmangur pasivizimin e adresave.

  • Si të mbrohemi?
  1. Të jeni fizikisht të pranishëm së paku përkohësisht

Ministria e Punëve të Brendshme verifikon nëse qytetari jeton vërtetë në adresën e regjistruar. Nëse nuk ju gjejnë ose nëse fqinjët dëshmojnë se keni munguar për një kohë të gjatë, adresa mund të pasivizohet. Të rrezikuar janë sidomos qytetarët që punojnë jashtë vendit ose që mungojnë shpesh.

  1. Grumbulloni prova për vendbanimin

“Dokumentet si faturat e energjisë elektrike, kontratat  e qirasë, deklaratat e fqinjëve dhe madje edhe vizitat në qendrën shëndetësore lokale mund të jenë prova kreysore se një person jeton në atë adresë”, shpjegon avokatja Milana Stankoviq nga Nishi.

  1. Lajmërojeni adresën e re nëse jeni zhvendosur

Ligji i detyron qytetarët të raportojnë çdo ndryshim të vendbanimit brenda tetë ditëve. Mosrespektimi i këtij afati mund të shpie në pasivizimin e adresës ekzistuese.

  1. Verifikoni statusin tuaj në MPB

Qytetarët duhet ta verifikojnë periodikisht statusin e tyre, veçanërisht nëse planifikojnë të marrin dokumente të reja ose të aplikojnë për një procedurë administrative.

  1. Ankohuni me kohë

Nëse merrni një aktvendim për pasivizim, keni të drejtë ankese brenda 15 ditëve. Shumë qytetarë as nuk janë të vetëdijshëm se një aktvendim i tillë mund të kundërshtohet.

Edhe pse Ministria e Punëve të Brendshme pohon se pasivizimi kryhet në përputhje me ligjin, me qëllim të përditësimit të të dhënave, në praktikë, ai shfaqet gjithnjë e më shumë si një burim pasigurie ligjore dhe jetësore për qytetarët, veçanërisht në mjediset multietnike.

Për shumë njerëz, lufta për një adresë nuk është vetëm një problem burokratik – por një luftë për të drejtën për të ekzistuar si qytetarë.