PASIVIZIMI I ADRESAVE NËN INTERPRETIMIN ZYRTAR

Demo Berisha: Pasivizimi nuk është selektiv, problemi është mosndjekja e procedurave

Foto: www.tvpalmaplus.rs

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror në Qeverinë e Republikës së Serbisë, Demo Berisha, ka deklaruar se në Serbi nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut apo të drejtave të pakicave dhe se, sipas tij, nuk ekziston asnjë rrezikim i të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ai ka theksuar se e ardhmja e këtyre të drejtave nuk përcaktohet në Uashington, por përmes bisedimeve në Beograd. Këto deklarata i bëri duke komentuar edhe nismën ligjore të kongresmenit amerikan Keith Self për vlerësimin e gjendjes së pakicave në Serbi, në një prononcim për portalin serb Kosovo Online.

Duke folur për këtë nismë, Berisha ka vlerësuar se bëhet fjalë vetëm për fillimin e një procesi dhe se mbetet të shihet nëse akti do të miratohet përfundimisht. Sipas tij, dokumenti nuk i referohet vetëm të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por trajton të drejtat e njeriut në Serbi në përgjithësi, me theks të veçantë në këtë rajon.

Në këtë kontekst, ai është ndalur edhe te çështja e pasivizimit të adresave, e përmendur edhe në dokumentet amerikane. Berisha ka deklaruar se pasivizimi nuk zbatohet vetëm ndaj shqiptarëve, por ndaj të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe se kjo procedurë, sipas tij, nuk nënkupton humbjen e së drejtës për banim. Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një proces administrativ, në kuadër të të cilit qytetarët duhet, brenda një afati të caktuar, të paraqiten pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për ta rregulluar statusin e tyre.

Sipas ministrit, problemi kryesor është ajo që ai e quan mungesë interesi e qytetarëve — veçanërisht në Preshevë dhe Bujanoc — për t’i ndjekur këto procedura. Kjo situatë, siç tha ai, është ngritur në nivel politik dhe ka krijuar keqkuptime dhe tensione të panevojshme, ndërsa ka mohuar se pasivizimi përdoret si mjet selektiv kundër shqiptarëve.

Duke folur edhe për njohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës, Berisha ka kujtuar se kjo çështje është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe se është e rregulluar përmes dialogut. Ai ka sqaruar se ekziston një mekanizëm përmes të cilit diplomat verifikohen në Bruksel dhe më pas dërgohen në Beograd për njohje, duke shtuar se nuk është e saktë që Serbia nuk i njeh fare këto diploma.

Ministri ka folur edhe për marrëdhëniet politike në Preshevë dhe Bujanoc, duke thënë se, sipas tij, ekziston një ndërthurje e fortë e politikave që vijnë nga jashtë dhe që reflektohen në këtë rajon. Ai ka theksuar se nuk ka bazë për pretendimet se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara dhe se problemi kryesor mbetet mungesa e bashkëpunimit me institucionet shtetërore.

Berisha ka shtuar se ai vetë është shqiptar dhe se fakti që drejton një ministri në Qeverinë e Serbisë, sipas tij, dëshmon se Serbia është shtet demokratik dhe se pakicat kanë hapësirë për përfaqësim dhe pjesëmarrje në institucione. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur probleme për shkak të prejardhjes së tij dhe se kjo e ka ndihmuar të komunikojë më lehtë me komunitete të ndryshme.

Duke iu rikthyer edhe një herë temës së pasivizimit të adresave — një çështje që ka shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët dhe është kritikuar nga organizata të shoqërisë civile — Berisha ka përsëritur se kjo, sipas tij, është keqkuptuar dhe politizuar. Ai ka insistuar se nuk bëhet fjalë për heqje të të drejtave, por për një procedurë administrative që zbatohet njësoj për të gjithë.

Në fund, ministri ka deklaruar se mbetet i hapur për dialog me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe se beson se të gjitha çështjet e hapura mund të zgjidhen përmes bisedimeve. Ai ka përsëritur se zgjidhjet duhet kërkuar në Beograd dhe jo jashtë vendit.

Shpërndaje në: