NGA HULUMTIMI I YIHR PËR PASIVIZIMIN E ADRESAVE TË SHQIPTARËVE NË LUGINËN E PRESHEVËS

Medvegja si veçanti

Foto: www.luginalajmi.com

Në kuadër të hulumtimit të zhvilluar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) me seli në Beograd, të titulluar “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese”, është realizuar një kërkesë për informata të rëndësishme publike drejtuar administratave rajonale policore të Serbisë. Kjo kërkesë ka synuar të sigurojë të dhëna të detajuara në lidhje me numrin e qytetarëve të pasivizuar, për periudhën nga 1 janari 2012 deri më 1 qershor 2023. Pasivizimi i adresave i cili ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në regjistrimin e banorëve dhe ndryshimet në listat zgjedhore është një proces i ndjeshëm për komunitetet e shumta në Serbi, veçanërisht në Luginën e Preshevës/Jug të Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk ka ofruar të dhënat për numrin e qytetarëve të pasivizuar në komunën e Medvegjës për vitet 2020, 2021, 2022, përkatësisht për periudhën deri më 1 qershor 2023, duke kufizuar krijimin e një pasqyre të saktë dhe të qartë për numrin e qytetarëve të pasivizuar në këtë rajon.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka ofruar gjithashtu kopje të aktvendimeve të miratuara për pasivizimin e adresave në administratat policore të komunave të Leskocit dhe Vranjës, për periudhën e dekadës së kaluar. Kjo ka ngritur pikëpyetje të mëtejshme mbi transparencën e autoriteteve dhe mbi zbatimin e duhur të ligjit. Përveç kësaj, kur krahasohen komunat e jugut të Serbisë, ku pothuajse nuk ka pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare, përqindja e pasivizimeve është shumë e ulët (në disa raste më pak se 1% e popullsisë), duke reflektuar një kontrast të theksuar me komunën e Medvegjës, ku përqindja e pasivizimeve është e lartë, me rreth 21.2% për periudhën 2015-2019.

Hulumtimi i YIHR ngrit dilemat se ky proces pasivizimi i cili mund të ketë ndodhur pa u mbikëqyrur siç duhet dhe pa transparencë të plotë është një tregues i mundshëm i keqpërdorimit të Ligjit për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin. Ky ligj është menduar të ndihmojë në rregullimin e regjistrimeve të adresave, por kur përdoret në mënyrë jologjike, mund të çojë në pasiguri dhe të dëmtojë të drejtat e qytetarëve. Një tregues tjetër i mundshëm për keqpërdorimin e ligjit është ndryshimi i papritur dhe drastik në listën zgjedhore të komunës së Medvegjës.

Nga bisedat e ekipit hulumtues me përfaqësues të komunave të Bujanocit dhe Preshevës është vënë re se në këto dy komuna ndryshimet në listat zgjedhore nuk kanë qenë të tilla, përkundrazi, ato kanë mbetur relativisht stabile. Sipas një dokumenti jozyrtar të siguruar nga ekipi hulumtues nga një burim anonim, numri i votuesve në listën zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2015 në komunën e Medvegjës ishte 10,456 votues. Në zgjedhjet lokale të vitit 2022, ky numër kishte rënë në 6,147 votues, dhe në përditësimin më të fundit të listës zgjedhore në korrik 2023, numri i votuesve ishte 6,114. Ky është një ndryshim drastik që përfaqëson një rënie prej 41.2% të votuesve brenda vetëm 7 viteve.

Për më tepër, ky fenomen është i rëndësishëm në kontekstin e numrit të votuesve të hequr nga lista zgjedhore. Sipas të dhënave, shumica e votuesve të hequr, rreth 78.2%, vijnë nga fshatrat me shumicë shqiptare në komunën e Medvegjës. Kjo sugjeron që procesi i pasivizimit të adresave ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e numrit të votuesve të komunitetit shqiptar.