PASIVIZIMI: DËSHMI NGA BUJANOCI

“Ma morën adresën, ndërsa nuk kam pushuar të jem shtetas i Serbisë”

Foto: www.jugpress.com

Në dritën e polemikave në rritje rreth pasivimit të adresave në jug të Serbisë, ne folëm me M.A. (43), banor i Bujanocit i cili ka dashur të mbetet anonim. Tashmë për pesë vite M.A. punon në Gjermani nga tre muaj në vit, por rregullisht kthehet në familjen e tij në Bujanoc. Vitin e kaluar, ai u përball me një problem që i ndryshoi jetën – adresa e tij ishte pasivizuar.

Kur e morët vesh që adresa juaj ishte pasivizuar?

M.A.: E mora vesh krejt rastësisht, kur u përpoqa të merrja një kartë të re shëndetësore për djalin tim. Në sportel më thanë se nuk kam vendbanim të regjistruar në sistem. Isha i tronditur, sepse kam lindur në Bujanoc, këtu kam jetuar gjithë jetën, përveç që kam punuar herë pas here në Gjermani. Familja ime është këtu, – gruaja ime dhe dy fëmijët.

A keni marrë ndonjë njoftim nga institucionet kompetente?

M.A.: Jo, nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar. Vetëm kur shkova në polici për të kontrolluar se për çfarë bëhej fjalë, më thanë se ma kishin pasivizuar adresën sepse nuk jetoj gjithë kohën këtu. U shpjegova se punoj sezonalisht në Gjermani, por që kthehem gjithmonë pranë familjes. Por më thanë se vendimi është i formës së prerë dhe duhet të riregjistroj vendbanimin.

Si ka ndikuar në jetën tuaj të përditshme?

MA: Shumë më vështirë se sa mund ta imagjinoja. Meqenëse adresa ime ishte pasivizuar, nuk kisha më të drejtën e kujdesit shëndetësor dhe fëmijëve të mi u kërkuan letra shtesë për t’u regjistruar në shkollë. Madje kam pasur probleme me pjesëmarrje në zgjedhje. Thjesht më mohuan të drejtat elementare, të gjitha vetëm ngase punoj jashtë vendit për të mbajtur familjen.

Jeni përpjekur ta ktheni vendbanimin tuaj?

M.A.: Po, por procesi është shumë i ndërlikuar. Duhet të paraqisni një sërë dokumentesh – një marrëveshje qiraje ose akt pronësie, faturat e energjisë elektrike dhe të ujit, madje edhe deklarata nga fqinjët tuaj se jetoni në atë adresë. I kam bashkangjitur të gjitha, por më kanë thënë se procedura do të zgjasë me muaj. Ndërkohë ndihem qytetar i dorës së dytë.

Si e shikoni këtë problem?

M.A.: Nuk mendoj se kjo është e rastësishme. Pasivizimi i adresave në jug të Serbisë prek më së shumti shqiptarët dhe romët. Njerëzit që punojnë jashtë nuk ikin se duan, por sepse këtu nuk ka punë. Në vend që të na mbështesë shteti, ai na ndëshkon. Madje më duket se kjo është një mënyrë për të na dobësuar politikisht, sepse nëse nuk kemi adresë, nuk mund të votojmë.

Çfarë mendoni se duhet ndryshuar?

M.A.: Së pari, shteti duhet të informojë njerëzit përpara se të pasivizojnë adresën e tyre dhe t’u japë atyre mundësinë të dëshmojnë se ata jetojnë vërtet n adresën e paparaqitu. Së dyti, duhet të bëhen rregulla të qarta për njerëzit që punojnë sezonalisht jashtë vendit, sepse jemi shumë. Ne nuk po heqim dorë nga Serbia, ndaj edhe Serbia të mos na fshijë.

Një mesazh për njerëzit që përballen me një problem të ngjashëm?

M.A.: Mos heshtni. Kërkoni të drejtat tuaja. Ky problem nuk është vetëm imi, por i të gjithë neve në jug të Serbisë. Duhet të luftojmë që të mos trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë, sepse të gjithë kemi të drejtën e shtëpisë dhe të jetës në vendin ku kemi lindur.