CILAT JANË MUNDËSIT QË QYTETARËT E SERBISË T'I SHMANGEN PASIVIZIMIT TË ADRESËS DHE T'I MBROJNË TË DREJTAT E VETA

Hapat e mundshëm juridik për mbrojtje nga pasivizimi

Foto: www.krusevacgrad.rs

Pas rasteve gjithnjë e më të shpeshta të pasivizimit të adresave, veçanërisht në zonat jugore të Serbisë, ka një shqetësim në rritje midis qytetarëve se si t’i mbrojnë të drejtat e tyre themelore dhe të shmangin “fshirjen” administrative nga sistemi.

Pasivizimi i adresës është një masë administrative me anë të së cilës Ministria e Punëve të Brendshme arrin në përfundimin se një qytetar nuk jeton në adresën e regjistruar gjë e cila shoqërohet me pasoja të rënda. Njerëzit, adresa e të cilëve është pasivizuar, mbeten pa dokument të vlefshëm të identifikimit, pa sigurim shëndetësor, humbin të drejtën për të votuar dhe madje edhe të drejtën për të regjistruar fëmijët në shkollë ose për të regjistruar një automjet.

Në bisedë me avokatë dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, arrijmë te hapat kryesorë që qytetarët mund të ndërmarrin për të shmangur pasivizimin e adresave.

  • Si të mbrohemi?
  1. Të jeni fizikisht i pranishëm së paku përkohësisht

Ministria e Punëve të Brendshme verifikon nëse qytetari jeton vërtet në adresën e regjistruar. Nëse nuk ju gjejnë ose nëse fqinjët dëshmojnë se keni munguar për një kohë të gjatë, adresa mund të pasivizohet. Veçmas të rrezikuar janë qytetarët që punojnë jashtë vendit ose që mungojnë shpesh.

  1. Grumbulloni prova mbi banimin

“Dokumentet si faturat e energjisë elektrike, konstatat  e qirasë, deklaratat e fqinjëve dhe madje edhe vizitat në qendrën shëndetësore lokale mund të jenë prova kyçe që një person jeton në atë adresë”, shpjegon avokatja Milana Stankoviq nga Nishi.

  1. Lajmërojeni adresën e re nëse jeni zhvendosur

Ligji i detyron qytetarët të raportojnë çdo ndryshim të vendbanimit brenda tetë ditëve. Mosrespektimi i këtij afati mund të çojë në pasivizimin e adresës ekzistuese.

  1. Verifikoni statusin tuaj në MPB

Qytetarët duhet ta verifikojnë periodikisht statusin e tyre, veçanërisht nëse planifikojnë të marrin dokumente të reja ose të aplikojnë për një procedurë administrative.

  1. Ankohuni me kohë

Nëse merrni një aktvendim për pasivizim, keni të drejtë ta apeloni atë brenda 15 ditëve. Shumë qytetarë as nuk janë të vetëdijshëm se një aktvendim i tillë mund të kundërshtohet.

Edhe pse Ministria e Punëve të Brendshme pohon se pasivizimi kryhet në përputhje me ligjin me qëllim përditësimin e të dhënave, në praktikë ai shfaqet gjithnjë e më shumë si një burim pasigurie ligjore dhe jetësore për qytetarët, veçanërisht në mjediset multietnike.

Për shumë njerëz, lufta për një adresë nuk është vetëm një problem burokratik – por një luftë për të drejtën për të ekzistuar si qytetarë.