PERSPEKTIVA E NJË AKTIVISTI HOLANDEZ PËR PASIVIZIMIN

Jan Jansen: Pasivizimi është diskriminim i institucionalizuar etnik

Foto: www.nin.rs

Në gazetën “Koha Ditore” të datës 31 gusht 2025, Jan Jansen, përkthyes, gazetar dhe aktivist holandez për të drejtat e njeriut, i njohur për angazhimin e tij shumëvjeçar në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, ka botuar një artikull ku trajton në mënyrë të detajuar problemin e shqiptarëve në jug të Serbisë/Luginë të Preshevës. Jansen, i cili prej kohësh ka hulumtuar në terren dhe ka folur hapur për padrejtësitë që i bëhen komunitetit shqiptar, këtë herë sjell një analizë të ashpër për një fenomen që autoritetet serbe e paraqesin si çështje “administrative”, por që në thelb, sipas tij, përbën një spastrim etnik të heshtur.

Në artikullin e tij, autori e nis duke rikujtuar se që nga vitet ’70–’80, shumë qytetarë nga ish-Jugosllavia janë shpërngulur për punë në vende si Gjermania, Austria apo Zvicra, duke mbetur me statusin e punëtorëve të huaj. Për shkak të largësisë dhe natyrës së punës, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre në Serbi vetëm gjatë muajve të verës. Në këtë ndërkohë, policia lokale, e ngarkuar me kontrollin e adresave, shfrytëzon mungesën e tyre për t’i çregjistruar, duke konstatuar se në banesë nuk jeton askush. Edhe kur procedura përsëritet disa herë me intervale disa javore, rezultati është i njëjtë: shqiptarët që punojnë jashtë figurojnë të çregjistruar, pa asnjë paralajmërim apo informacion të drejtpërdrejtë.

Jansen thekson se kjo praktikë, e trashëguar nga sistemi totalitar i ish-Jugosllavisë, është shndërruar në një mjet të sofistikuar të spastrimit etnik. Në dukje gjithçka zhvillohet sipas ligjit: kontrollet, procesverbalet, raportet e policisë. Por në realitet, ky mekanizëm prodhon pasoja dramatike: qytetarët shqiptarë humbin të drejtën mbi pasuritë e tyre, mbi shërbimet publike dhe dokumentet e identitetit. Madje, shumë prej tyre nuk e kuptojnë se janë çregjistruar derisa kërkojnë një dokument në administratë dhe mësojnë se nuk figurojnë më në regjistër.

Autori sjell shembullin e Safet Demiroviqit nga Medvegja, i cili i kishte ndjekur të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Edhe aty, më 14 nëntor 2014, vendimi ishte në dëm të tij: çregjistrimi i konsideruar “i ligjshëm” e la atë pa asnjë të drejtë, një njeri pa shtetësi. “Ky rast – thekson Jansen – është vetëm një nga mijëra raste që tregojnë se pasivizimi i adresave nuk është një gabim burokratik, por një strategji e menduar për të dobësuar dhe dëbuar shqiptarët nga vendlindja e tyre.”

Një tjetër shqetësim që autori vë në pah është përbërja e policisë në jug të Serbisë. Pas luftës së vitit 2001, Serbia ishte e detyruar që të përfshinte shqiptarë në strukturat policore, në raport me popullsinë vendase. Por sot, shumica e atyre shqiptarëve kanë dalë në pension dhe nuk janë zëvendësuar me pjesëtarë të komunitetit të tyre, por me serbë. Si pasojë, policia nuk pasqyron më realitetin etnik të zonës, duke u shndërruar në një instrument të politikave shtetërore nacionaliste.

Në analizën e tij, Jansen i referohet raporteve të organizatave prestigjioze, si Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili e ka cilësuar pasivizimin e adresave si një formë spastrimi etnik. Ai kujton se ky proces nuk është i izoluar, por i sistemuar dhe i mirëmenduar, duke kombinuar administratën, policinë dhe gjyqësorin në një mekanizëm që e zhvesh individin nga të gjitha të drejtat e tij qytetare.

Komentet e Jansen-it janë të drejtpërdrejta dhe kritike ndaj hipokrizisë politike të Serbisë. Ai thekson se shteti serb kërkon me ngulm garantimin e të drejtave të serbëve në Kosovë, ndërsa në të njëjtën kohë mohon të drejtat elementare të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Kjo asimetri, sipas tij, është jo vetëm e padrejtë, por edhe e papranueshme për një vend që synon integrimin evropian. “Serbia – shkruan ai – nuk mund të kërkojë mbrojtje për një minoritet, ndërkohë që vetë ushtron politika diskriminuese dhe dëbuese ndaj një minoriteti tjetër brenda kufijve të saj.”

Në fund, ai bën thirrje për një reagim të fuqishëm ndërkombëtar, sidomos nga Bashkimi Evropian, duke e lidhur këtë çështje me procesin e dialogut Kosovë–Serbi dhe me integrimin evropian të vetë Serbisë. Sipas tij, Evropa nuk mund të mbyllë sytë ndaj këtij realiteti, sepse shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë janë një pengesë e drejtpërdrejtë për çdo pretendim të Serbisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Jan Jansen, përkthyes, gazetar dhe aktivist holandez për të drejtat e njeriut, është angazhuar dhe vazhdon të angazhohet profesionalisht në dokumentimin dhe avokimin kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut. Së fundmi, ai ka hulumtuar në terren dhe ka folur haptazi për spastrimin etnik që Serbia po kryen ndaj shqiptarëve brenda shtetit të saj. Ky tekst është shkruar në gjuhën shqipe nga vetë autori dhe është botuar me lejen e tij.