PASIVIZIMI I ADRESAVE NË SHTETET E TJERA JASHTË SERBISË

Dallimet në ngjashmëri

Foto: www.greekcitytimes.com

Në jug të Serbisë problemi i “pasivizimit të adresave” po merr dimension politik. Kjo praktikë, e cila përfshin heqjen e qytetarëve nga regjistri i vendbanimit me pretekstin se ata nuk plotësojnë kushtet ligjore për qëndrim në adresën e regjistruar, përdoret shpesh për të kufizuar të drejtat e tyre, përfshirë të drejtën e votës. Ajo është veçanërisht e theksuar në rajonet ku pakicat kombëtare përbëjnë shumicën apo janë në numër të konsiderueshëm, si shqiptarët dhe romët, ku pasivizimi perceptohet si mjet i presionit politik dhe manipulimit të regjistrave zgjedhor.

Probleme të ngjashme në vendet e rajonit

Fenomeni i regjistrimit të rrejshëm apo pasivizimit të adresave nuk është karakteristikë vetëm për Serbinë, por është i pranishëm edhe në vendet e rajonit. Megjithatë, dallojnë arsyet për këtë praktikë dhe mënyrat e trajtimit të kësaj çështjeje.

* Bosnjë dhe Hercegovinë

Në Bosnje dhe Hercegovinë, qytetarët nga komunat më të vogla shpesh regjistrojnë vendbanimin e tyre në qytetet më të mëdha, si Sarajeva, për të ushtruar të drejtën për shërbime publike më të mira, si kujdesi shëndetësor apo arsimi. Sipas Ligjit mbi vendbanimin, regjistrimi i rrejshëm trajtohet si kundërvajtje, që sanksionohet me gjoba që variojnë nga 30 deri në 300 MK. Megjithatë, kontrollet janë sporadike, gjë që lejon abuzime me këtë çështje.

* Kroacia

Në Kroaci, deklarimi i rremë i vendbanimit shpesh lidhet me marrjen e përfitimeve sociale. Qytetarët regjistrohen në adresat ku nuk jetojnë për të kërkuar përfitime, si shkollimi falas ose transporti më i lirë. Sipas Ligjit për Vendbanim, policia ka të drejtë të verifikoj vendbanimin aktual dhe në rast të keqpërdorimit të shqiptojë gjoba nga 500 KKR deri në 5000 KKR. Pavarësisht kësaj, kontrolli nuk është gjithmonë efektiv.

* Maqedonia e Veriut

Paraqitja e rreme e vendbanimit në Maqedoninë e Veriut shpesh lidhet me zgjedhjet, pasi raportet përdoren për të manipuluar listat e votuesve. Prandaj, gjatë vitit zgjedhor, vëmendja ndaj kësaj praktike rritet dhe autoritetet vendore kryejnë kontrolle në terren.

Rregullat në vendet e Bashkimit Evropian

Edhe pse në vendet e Bashkimit Evropian ekziston regjistrimi fiktiv i vendbanimit, ai motivohet më së shumti nga interesat ekonomike, ndërkohë që abuzimi politik nuk është i përhapur për shkak të kornizave më të rrepta ligjore dhe administrative.

* Gjermani

Në Gjermani, deklarimi i rremë i vendbanimit mund të sjellë gjoba deri në 1000 euro. Sistemi është i digjitalizuar dhe të dhënat e vendbanimit janë të lidhura me të dhënat tatimore dhe shëndetësore, gjë që e vështirëson abuzimin.

* Franca

Në Francë deklarimi i rremë i vendbanimit trajtohet si kundërvajtje administrative, me gjoba të larta. Kontrolli i vendbanimit kryhet nëpërmjet bashkëpunimit të shërbimeve të ndryshme publike, gjë që redukton ndjeshëm mundësinë e manipulimit.

* Suedia

Në Suedi, vendbanimi është i lidhur ngushtë me numrin personal të identifikimit, duke e bërë praktikisht të pamundur çdo formë të raportimit të rremë. Dënimet për abuzim janë të larta dhe sistemi është plotësisht i digjitalizuar.

Standardet evropiane dhe të drejtat e votës

Bashkimi Evropian nuk ka një ligj të vetëm që rregullon vendbanimin, por udhëzimet për lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e qytetarëve kërkojnë që shtetet anëtare të sigurojnë transparencë dhe të parandalojnë abuzimet. Vendet anëtare duhet t’u mundësojnë të gjithë qytetarëve të votojnë, pavarësisht nga vendbanimi, me postë ose përmes misioneve diplomatike.

Pasivizimi politik i adresave në jug të Serbisë hedh dritë mbi problemin më të gjerë të abuzimeve administrative që mund të kërcënojnë të drejtat themelore civile. Megjithëse probleme të ngjashme ekzistojnë në rajon dhe në Bashkimin Evropian, Serbia mund të mësojë nga shembujt e vendeve të BE-së, ku digjitalizimi dhe kontrolli më i rreptë i vendbanimit reduktojnë ndjeshëm mundësitë për abuzim. Reforma e sistemit të menaxhimit të vendbanimit, së bashku me rritjen e transparencës dhe kontrollit, është kyç për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe ndërtimin e besimit te institucionet.