INTERVISTË: MILAN PETROVIQ, AVOKAT

Pasivizimi mes së drejtës dhe arbitraritetit

Foto: www.juznevesti.com

Qytetarët në Preshevë mësojnë se janë pa vendbanim të regjistruar vetëm kur tentojnë të paisen me kartën e identitetit ose kur kërkojnë ndihmë mjeksore. Në shumë raste, aktvendimet merren pa dëgjim paraprak e pa verifikim fizik – në kundërshtim me ligjin.

– Zotëri Petroviq, a keni pasur raste të pasivizimit në Preshevë gjatë vitit 2022?

M.P: Po, shumë. Qytetarët u përballën me probleme serioze, ngase nuk e dinin që adresa ishte pasivizuar deri sa tentuan të rinovojnë kartën e identitetit, të bëjnë regjistrimin e automjetit ose të nxjerrin ndonjë dokument..

– Si ndikon kjo konkretisht te ata?

M.P: Pa vendbanim të regjistruar nuk realizohen të drejtat shëndetësore, nuk mund të votohet, nuk mund të aplikohet për kartë identiteti. Disa mbetën pa ndihmën sociale dhe shtesë për fëmijët. Kemi të bëjmë me një përjashtim serioz administrativ.

– A mund ta përshkruani një rast të tillë?

M.P: Zonja nga Presheva ishte te vajza e saj në Zvicër për shërim. Kur u kthye në vitin 2022, mësoi për pasivizimin e adresës. Nuk mund të aplikonte për kartë të re të identitetit ose të paraqitej për vizita mjeksore. Madje, as që mund të aplikonim ngase nuk posedontedokumente valide. Inicuam kontest administrativ, duke i paraqitur provat se ajo ende ka banesë në Preshevë dhe se banon aty. Pas disa muajve, adresa iu rikthye.

– Si i ndihmonit konkretisht këta njerëz?

M.P: Fillimisht verifikojmë aktvendimin për pasivizim. Nëse ekziston, ankohemi dhe paralelisht provojmë aplikimin e ri me dëshmi banimi. Nëse ankesa dështon, shkohet  në gjykatën administrative. Nëse as kjo nuk jep rezultat, i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese.

– A zbatohet pasivizimi ligjërisht?

M.P: Jo, në numrin më të madh të rasteve. Aktvendimet merren pa dëgjimin e palës, pa kurrfar paralajmërimi. Madje, ndaj disave nuk ka pasë as verifikim fizik të adresës.  Kjo është në kundërshtim me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

– Mesazhi juaj për qytetarët?

M.P: Mos prisni që problemi t’ju befasojë. Nëse dyshoni që adresa juaj është pasivizuar, verifikoni menjëherë. Përgatitni dëshmi që banoni aty dhe kërkoni ndihmë profesionale. Heqja e vendbanimit është heqje e identitetit.