PASIVIZIMI I ADRESAVE NË SERBI

Keqpërdorimi i vendbanimit apo suspendim i padrejtë i të drejtave elementare?

Foto: www.24sedam.rs

Pasivizimi i adresave, procesi me të cilin institucionet kompetente fshijnë vendbanimin e qytetarëve nga evidencat zyrtare, po shkakton gjithnjë e më shumë polemika në Serbi. Kjo praktikë, më e përhapur në jug të vendit – veçanërisht në komunat si Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, ngre pyetje serioze juridike për ligjshmërinë e saj dhe pasojat për të drejtat themelore të qytetarëve.

Kuadri ligjor i pasivizimit

Sipas Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve, vendbanimi në Serbi regjistrohet në adresën ku personi ka vendbanim të përhershëm. Megjithatë, neni 10 i të njëjtit ligj lejon organet kompetente të pasivizojnë adresën nëse konstatohet se qytetari nuk jeton më në vendndodhjen e regjistruar. Problemi lind në procesin e përcaktimit të këtyre fakteve, i cili shpesh nuk është transparent dhe nuk përfshin informimin e qytetarëve përpara marrjes së një vendimi.

Shumë avokatë theksojnë se kjo mënyrë e zbatimit të ligjit mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e cila garanton të drejtën e shtëpisë, lirinë e lëvizjes dhe mbrojtjen e barabartë të të gjithë qytetarëve para ligjit. “Pasivimi i adresave pa njoftim paraprak me të cilin qytetarit i ofrohet mundësia të dëshmojë se vërtet jeton aty, është shkelje e rëndë e të drejtave”, thotë avokatja Jelena Markoviq, e specializuar në të drejtën civile.

Të drejtat e kufizuara të qytetarëve

Me rastine  pasivizimit të vendbannimit, qytetari humb aksesin në shumë të drejta – sigurimin shëndetësor, pjesëmarrjen në zgjedhje, madje edhe mundësinë për të rinovuar dokumentet personale. Praktikisht, kjo do të thotë se një person që punon sezonalisht jashtë vendit ose që është larguar përkohësisht – për çfarëdo arsye, mund të mbetet pa të drejta elementare në vendin e tij.

“Ky është një problem veçanërisht i theksuar për komunitetet pakicë në jug të Serbisë. Njerëzit shpesh lëvizin për shkak të kushteve të këqija ekonomike, por ata ende ndihen të lidhur me shtëpitë e tyre në Serbi. Pasivizimi i përjashton ata plotësisht nga jeta shoqërore dhe politike”, shton Markoviq.

Mundësitë e betejës ligjore

Qytetarët, adresat e të cilëve janë pasivizuar, kanë të drejtë të bëjnë ankesë ose padi pranë organeve kompetente. Procesi, megjithatë, nuk është i thjeshtë. Për ta dëshmuar se personi jeton në vendbanimin aktual duhet mbledhur një mori dokumntesh, duke përfshirë faturat e shërbimeve, deklaratat e dëshmitarëve, madje edhe marrëveshjet e qirasë ose të pronësisë mbi pronën.

Edhe pse disa arrijnë të rifitojnë të drejtat e tyre, shumë të tjerë heqin dorë nga kjo procedure për shkak të procesit të gjatë dhe të shtrenjtë. “Në shumë raste njerëzit nuk janë as të vetëdijshëm se adresa e tyre është pasivizuar derisa, para se të tentojnë të kryejnë ndonjë punë administrative. Pas kësaj ata përballen me pengesa të mëdha burokratike,” shpjegon avokatja Markoviq.

Mendimi i ekspertëve dhe organizatave joqeveritare

Organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e njeriut besojnë se pasivizimi në Serbi është pjesë e një problemi më të gjerë të diskriminimit, veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe romëve. Ata bëjnë thirrje për ndryshime urgjente të ligjit që do të mundësonte një proces më transparent dhe mbrojtjen më efikase të të drejtave të qytetarëve.

Edhe organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim për këtë praktikë. Në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 thuhet se Serbia duhet të sigurojë qasje të barabartë në të drejta për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata adresat e të cilëve janë pasivizuar.

Pasivizimi i adresave hap shumë çështje ligjore dhe tregon nevojën për zgjidhje ligjore më të qarta dhe më të drejta. Ndërkohë që shteti e justifikon këtë praktikë duke luftuar kundër shpërdorimit të vendbanimit, qytetarët e prekur nga pasivizimi mendojnë gjithnjë e më shumë se të drejtat e tyre elementare po u hiqen padrejtësisht.