PASIVIZIMI I ADRESAVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË: Në njërën anë kundërshtimet, në anën tjetër ligjzbatimi

Foto: Bujanovacke.co.rs

Në vitet e fundit, një fenomen është shfaqur në Luginën e Preshevës/Jug të Serbisë, përkatësisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, që ka ngjallur shqetësime në mesin e shqiptarëve dhe ka tërhequr vëmendjen e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ky fenomen është pasivizimi i adresave. Pasivizimi, një proces administrativ që përfshin heqjen e statusit të rezidencës nga qytetarët shqiptarë dhe ka ndikuar në mijëra individë, duke i privuar ata nga të drejtat e tyre në Serbi. Ky proces sipas spektrit politik shqiptar ka karakteristika diskriminuese dhe të motivuara politikisht, duke rrezikuar jo vetëm të drejtat themelore të individëve, por edhe stabilitetin politik të rajonit.

Shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë po përballen me një problem të madh, siç është procesi i pasivizimit. Me pasivizimin e adresës, qytetarët humbin vendbanimin në Republikën e Serbisë dhe si pasojë edhe të drejtat civile, duke përfshirë të drejtat për të përditësuar letërnjoftimin ose pasaportën, për të regjistruar pronën, për të pasur qasje në kujdesin shëndetësor, për të blerë ose shitur pronë, për të votuar ose për të qenë i votuar, dhe shumë të drejta të tjera. Ky proces është një formë e pastër e selektivitetit administrativ, që sipas përfaqësuesve shqiptarë ka për qëllim uljen e numrit të shqiptarëve në këto komuna.

Aktivistët dhe politikanët shqiptarë, si Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, kanë ngritur alarmin për këtë fenomen. Kamberi ka theksuar se pasivizimi është një formë e qartë e diskriminimit etnik që synon të dëmtojë strukturën demografike dhe të ulë përfaqësimin politik të shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë. Ai ka kërkuar reagimin e autoriteteve ndërkombëtare dhe ka ngritur shqetësimin se pasivizimi i adresave ka marrë përmasa të frikshme që nga viti 2012 dhe është përkeqësuar në vitet pasuese. Kamberi ka kërkuar një hetim të plotë të praktikave të pasivizimit dhe një ndërhyrje të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Komisionin Evropian dhe Departamentin e Shtetit të SHBA, për të siguruar që ky fenomen të trajtohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Një tjetër element kritik është mungesa e transparencës në procesin e pasivizimit dhe vështirësitë që qytetarët shqiptarë kanë hasur për të sfiduar këto vendime të padrejta. Në shumë raste, qytetarët janë të paqartë për arsyet e pasivizimit të adresave të tyre dhe nuk kanë mundësi të paraqesin ankesë në rast pasivizimi. Kjo mungesë e mundësisë për ankesë, si dhe paaftësia e institucioneve për të ofruar një mekanizëm të drejtë për të përballuar këtë proces, ka bërë që qytetarët të ndihen të pafuqishëm dhe të dëshpëruar, duke i lënë ata pa mbrojtje ligjore dhe pa mundësi për të rikthyer të drejtat e tyre qytetare.

Marko Milosavljeviq, nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka theksuar se ky proces është diskriminues dhe ka si objektiv përpjekjen për të ndryshuar strukturën etnike dhe për të zbutur ndikimin politik të shqiptarëve në këto komuna. Pasivizimi i adresave ka ndikuar drejtpërdrejt në listat zgjedhore, duke i lënë shqiptarët pa mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës dhe për të mbrojtur interesat e tyre politikë. Sipas hulumtimeve, qindra qytetarë shqiptarë, të cilët për vite të tëra kanë jetuar dhe punuar në këto komuna, janë ç’regjistruar dhe nuk kanë mund të marrin pjesë në zgjedhje, si dhe nuk kanë mundur të regjistrohen gjatë procesit të regjistrimit në vitin 2022 në Serbi.

Nëse ky fenomen vazhdon të injorohet, pasivizimi mund të përshkallëzohet dhe të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës/Serbisë Jugore. Ky proces mund të shërbejë si një mjet për të dobësuar të drejtat e shqiptarëve dhe për të shtuar polarizimin etnik dhe politik në rajon. Aktivistët dhe politikanët shqiptarë kanë bërë thirrje për ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare, si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, për të siguruar që kjo praktikë e pasivizimit të adreseve të ndalet dhe të rivendosen të drejtat e qytetarëve shqiptarë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Avokati Aleksandar Olenik i cili ka mbrojtur disa qytetarë të pasivizuar ka ofruar një tjetër perspektivë, duke theksuar se pasivizimi është një shkelje e qartë e të drejtave të njeriut dhe një mjet për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve dhe për të kufizuar mundësitë e shqiptarëve për të marrë pjesë në jetën politike. Ai ka kërkuar që ky proces të ndalet dhe të zgjidhet përmes një qasjeje më transparente dhe të drejtë që do t’u mundësonte shqiptarëve të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të ruajnë integritetin politik të rajonit.