LOBIMI I RADHËS NË BERLIN

Trokitja në derën gjermane për pasivizimin e adresave në Serbi

Foto: FB Shaip Kamberi

Një delegacion i politikanëve shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, përbërë nga deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Reppublikën e Serbisë, Enkel Rexhepi dhe aktivistet me prejardhje nga Presheva dhe Medvegja që jetojnë në Gjermani, Drita Zymberi dhe Flora Ferati, kanë realizuar një vizitë zyrtare treditore në kryeqytetin gjerman, Berlin. Ky lobim është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Qëllimi kryesor i vizitës ishte rritja e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me fokus të veçantë, pasivizimi i adresave.

Delegacioni u prit nga deputetë të angazhuar në çështjet e Ballkanit Perëndimor, të drejtave të njeriut dhe politikës së jashtme, si Adis Ahmetoviq (SPD), Peter Beyer (CDU), Frank Schwabe (SPD), Andreas Schwarz (SPD) dhe Knut Abraham (CDU), si dhe nga zyrtarë të lartë të Ministrisë Federale të Drejtësisë. Po ashtu, u zhvilluan takime në fondacionet Friedrich Ebert Stiftung, Heinrich Böll Stiftung dhe Konrad Adenauer Stiftung, të cilat kanë rol të rëndësishëm në mbështetjen e iniciativave demokratike dhe të drejtave të pakicave në rajon.

Delegacioni është takuar gjithashtu me diplomatë si ambasadori i Finlandës në Gjermani, Kai Sauer, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, Aida Sakiqi-Vandencasteele, si dhe me përfaqësues të diasporës dhe shoqërisë civile shqiptare në Gjermani.

Në të gjitha takimet, përfaqësuesit nga Lugina e kanë ngritur me vendosmëri çështjen e pasivizimit të adresave, duke theksuar se ky proces administrativ po përdoret në mënyrë selektive kundër shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dhe se pasojat janë të ndjeshme: përjashtimi nga regjistrat civilë, humbja e të drejtës së votës, pamundësia për të ushtruar të drejtat ekonomike, sociale dhe arsimore, si dhe zbehja e përfaqësimit politik. Delegacioni theksoi se kjo situatë nuk është një çështje e brendshme administrative, por një fenomen që përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të trajtimit të pakicave kombëtare.

Si pjesë e kërkesave konkrete të shtruara gjatë vizitës, delegacioni nga Lugina ka kërkuar realizimin e një hulumtimi ndërkombëtar, të pavarur dhe të besueshëm mbi pasivizimin e adresave në Serbi, që do të ndihmonte në dokumentimin profesional dhe të saktë të kësaj praktike.

Një kërkesë tjetër me rëndësi strategjike ka qenë përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës si temë e veçantë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e vendosur këtë problem në kuadër të një zgjidhjeje politike afatgjatë. Delegacioni ka theksuar se është i vendosur të vazhdojë përpjekjet për ta mbajtur këtë temë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, si një çështje urgjente që kërkon angazhim të përhershëm nga faktori ndërkombëtar për të garantuar të drejta të barabarta, siguri dhe dinjitet për shqiptarët në Serbi.