KOSTOJA EKONOMIKE E VENDIMEVE ADMINISTRATIVE

Stagnimi ekonomik si pasojë e pasivizimit

Foto: www.bujanovacke.co.rs

Pasivizimi i adresave në jug të Serbisë/Luginën e Preshevës ka pasoja të thella ekonomike që nuk ndalen në nivelin administrativ, por përhapen pothuajse në të gjitha aspektet e zhvillimit lokal. Edhe pse bëhet fjalë për një procedurë me karakter formal-juridik, përmes së cilës evidentohet se një qytetar nuk banon më në adresën e regjistruar, pasojat janë shpesh ekonomike, shoqërore dhe politike. Në komuna si Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, ku procesi i pasivizimit është veçanërisht i theksuar, krijohet një rreth vicioz ndërmjet pasivizimit administrativ dhe stagnimit ekonomik.

Në fakt, përmes pasivizimit të adresave, një numër i konsiderueshëm qytetarësh fshihen nga evidencat zyrtare të vendbanimit. Kjo e ulë numrin e banorëve të regjistruar formalisht, ndërkohë që pikërisht këta tregues statistikorë përdoren si bazë për ndarjen e mjeteve shtetërore, transferet nga buxheti dhe planifikimin e investimeve lokale. Zvogëlimi i numrit të banorëve, automatikisht shpie edhe në rënien e shumës së mjeteve që ndahen për infrastrukturë, shkolla, shëndetësi dhe shërbime publike. Kështu, zvogëlohet edhe kapaciteti fiskal i vetëqeverisjeve lokale për të planifikuar projekte zhvillimore. Me fjalë të tjera, pasivizimi administrativ shndërrohet në pasivizim ekonomik të rajonit.

Pasojat ekonomike thellohen më tej, sepse qytetarët, adresat e të cilëve janë pasivizuar, humbin mundësinë për të qenë përfitues të disa programeve publike, subvencioneve dhe fondeve zhvillimore. Për pjesëmarrjen në shumicën e konkurseve kombëtare dhe lokale, kusht është që të kesh vendbanim të regjistruar në territorin e komunës përkatëse. Kur adresa është pasivizuar, personi nuk i plotëson më kriteret formale dhe humb të drejtën për subvencione në bujqësi, vetëpunësim, ndihmë për çiftet e reja apo për rinovimin e amvisërive rurale. Në këtë mënyrë, një vendim administrativ ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në jetën ekonomike të komunitetit.

Nëse një proces i tillë zgjatë për vite të tëra, aq më tepër çon në zbrazjen graduale të hapësirës dhe në rënien e konsumit lokal. Tregtia, gastronomia dhe veprimtaritë e vogla familjare shënojnë rënie të qarkullimit, gjë që çon në uljen e punësimit dhe mbylljen e ndërmarrjeve. Për të mbijetuar, shumë banorë vendosin të largohen jashtë vendit, më së shpeshti në vendet e Bashkimit Evropian. Kështu, pasivizimi administrativ i adresave lidhet me pasivizimin real demografik dhe ekonomik – numri i njerëzve që realisht jetojnë në ato vende bëhet edhe më i vogël, ndërsa cikli ekonomik dobësohet nga viti në vit.

Është e rëndësishme të theksohet se pasojat e këtij procesi janë të shumëfishta. Përveç se e zvogëlon numrin e banorëve, pasivizimi ndikon edhe në vendimet investuese. Investitorët dhe sipërmarrësit, gjatë vlerësimit të një tregu potencial, marrin parasysh të dhënat statistikore zyrtare, numrin e banorëve dhe aktivitetin ekonomik të rajonit. Kur këto të dhëna janë të zvogëluara artificialisht për shkak të pasivizimit, atëherë në tregun e kapitalit dhe të investimeve rajoni paraqitet si më pak atraktiv dhe i pasigurt. Në këtë kuptim, pasivizimi i adresave ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e potencialit ekonomik të jugut të Serbisë, gjë që e thellon më tej hendekun ndërmjet pjesëve të zhvilluara dhe atyre të pazhvilluara të vendit.

Rënia e aktiviteteve ekonomike dhe zvogëlimi i numrit të banorëve kanë edhe pasoja afatgjata fiskale. Buxhetet lokale mbushen nga tatimet mbi pronën, kontributet dhe taksat që paguhen nga personat fizikë dhe juridikë. Kur popullsia “zhduket” formalisht nga evidencat, vetëqeverisjet lokale humbin burimet e të ardhurave. Kështu zvogëlohet edhe mundësia e tyre për të financuar në mënyrë të pavarur projektet zhvillimore dhe për të mirëmbajtur infrastrukturën. Ky proces çon në një rreth vicioz – më pak mjete, më pak zhvillim, më pak banorë, pasivizim i ri. Ky është një problem strukturor që tejkalon çështjen e thjeshtë administrative dhe shndërrohet në një kufizim thelbësor për zhvillimin e jugut të Serbisë/Luginës së Preshevës.

 

Shpërndaje në: