ZHVILLIMI NË PRITJE

Si e ngadalëson pasivizimi ringjalljen ekonomike dhe investimet në jug të Serbisë/Luginë të Preshevës?

Foto: www.privatizacija.privreda.gov.rs

Efektet ekonomike dhe zhvillimore të pasivizimit të adresave në jug të Serbisë/Luginë të Preshevës nuk kufizohen vetëm në rënien e konsumit lokal dhe zvogëlimin e të ardhurave fiskale, por shtrihen në të gjithë sistemin e shërbimeve publike dhe të infrastrukturës. Kur numri i banorëve zvogëlohet në mënyrë formale, planifikimi i zhvillimit bëhet i pasaktë dhe i paqëndrueshëm. Numri i fëmijëve në shkolla, pacientëve në entet shëndetësore apo përdoruesve të shërbimeve komunale vlerësohet në bazë të evidencave zyrtare. Nëse këto evidenca nuk pasqyrojnë gjendjen reale, pushteti lokal merr vendime të gabuara për përmasat dhe prioritetet e investimeve. Për shembull, mund të ndodhë mbyllja e shkollave, ambulancave apo ndërmarrjeve publike, sepse statistikat tregojnë se “nuk ka mjaftueshëm” banorë – edhe pse një pjesë e popullsisë realisht jeton aty, por nuk ekziston administrativisht.

Ky hendek ndërmjet realitetit dhe evidencave ka pasoja serioze për cilësinë e jetës. Qytetarët që janë pasivizuar formalisht humbin të drejtën për shërbime në vendin ku realisht jetojnë – nuk mund të votojnë, të regjistrojnë automjetin, të hapin biznes apo të paraqesin kërkesë për subvencione lokale. Kështu zvogëlohet integrimi i tyre në sistemin ekonomik dhe ata shpesh shndërrohen në “qytetarë të padukshëm”. Në aspektin shoqëror, kjo çon në pasivitet, izolim social dhe ulje të besimit në institucionet shtetërore. Kur qytetarët nuk kanë qasje në shërbimet bazë, aktiviteti i tyre ekonomik dobësohet, ndërsa emigrimi jashtë vendit bëhet opsioni i vetëm.

Një problem i veçantë paraqet pamundësia për të pasur qasje në fondet dhe programet publike. Përmes programeve të ndryshme shtetërore dhe ndërkombëtare (p.sh. fondet IPA të BE-së, programet e Ministrisë për administratën shtetërore, zhvillimin ekonomik lokal), viteve të fundit Serbia investon mjete të konsiderueshme në zhvillimin e zonave të pazhvilluara. Megjithatë, pasivizimi administrativ i adresave nënkupton se një numër i madh njerëzish dhe i ekonomive familjare nga jugu i Serbisë/Lugina e Preshevës nuk mund të marrin pjesë formalisht në këto programe. Për pjesëmarrje në shumicën e konkurseve, kusht është vendbanimi i dëshmuar, të cilin qytetarët e pasivizuar nuk mund ta sigurojnë. Kjo krijon mundësi të pabarabarta dhe thellon më tej dallimet ndërmjet rajoneve.

Pasivizimi ndikon edhe në qëndrueshmërinë afatgjatë të infrastrukturës. Me zvogëlimin e numrit të banorëve të regjistruar formalisht, shteti dhe pushteti lokal i drejtojnë investimet në zona të tjera. Për pasojë kemi stagnim në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, ujësjellësit, kanalizimeve dhe infrastrukturës digjitale. Në zonat rurale të jugut të Serbisë/Luginës së Preshevës kjo tashmë është e dukshme përmes degradimit të rrugëve lokale, zvogëlimit të linjave të autobusëve dhe uljes së cilësisë së shërbimeve publike. Mungesa e investimeve i dekurajon banorët të qëndrojnë, ndërsa kthimi i mundshëm i të larguarve bëhet edhe më i vështirë. Në këtë mënyrë, pasivizimi i adresave jo vetëm që pasqyron gjendjen ekzistuese, por edhe e përkeqëson atë, duke e shndërruar problemin administrativ në një deficit të përhershëm zhvillimor.

Së fundi, pasivizimi i adresave dhe stagnimi ekonomik nuk janë dy procese të ndara, por të ndërlidhura. Pasivizimi zvogëlon qasjen në burime dhe shërbime, gjë që çon në largimin e popullsisë dhe dobësimin e ekonomisë lokale. Largimi i popullsisë më tej zvogëlon numrin e adresave aktive dhe potencialin ekonomik të komunitetit. Për ta ndërprerë këtë cikël, është e nevojshme të krijohet një sistem transparent, i drejtë dhe i parashikueshëm për evidentimin e popullsisë, i cili do të marrë parasysh rrjedhat reale migratore dhe specifikat e zonave kufitare. Përveç kësaj, duhet të sigurohen programe të veçanta zhvillimore për komunat e prekura nga pasivizimi – programe që do të rinovojnë infrastrukturën, hapin vende pune dhe krijojnë kushte që njerëzit të kthehen dhe të regjistrojnë sërish vendbanimin.
Derisa pasivizimi të shihet vetëm si një çështje teknike, e jo si një sfidë serioze zhvillimore, jugu i Serbisë/Lugina e Preshevës do të vazhdojë të humbasë njerëz dhe burime. Ky proces tregon se vendimet administrative shpesh janë të lidhura thellë me realitetin ekonomik, dhe se për zhvillim të qëndrueshëm nevojiten masa të integruara që bashkojnë qasjen juridike, demografike dhe ekonomike.

Shpërndaje në: