NGA TAKIMI MARTINOVIQ-SINANI

Përplasja e radhës Beograd-Preshevë mbi pasivizimin: Një procedurë, dy qëndrime

Foto: www.luginalajmi.com

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi ka qenë sërish në qendër të diskutimeve dhe përplasjesh ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë dhe politikanëve shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Kësaj here, ndërmjet kryetarit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, dhe kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, gjatë një takimi zyrtar të mbajtur në Preshevë.

Sinani e cilësoi pasivizimin si një nga problemet më serioze me të cilat përballen shqiptarët në Serbi, veçanërisht në komunën e Preshevës, ku shumë qytetarë janë fshirë nga regjistrat vendorë si pasojë e një praktike që, sipas saj, zbatohet në mënyrë të diskutueshme dhe të padrejtë. Ajo kërkoi që procesi të ndalet menjëherë dhe që institucionet kompetente të rivlerësojnë pasojat që po shkakton, duke përfshirë cenimin e të drejtës së votës, pamundësinë për të marrë dokumente personale dhe kufizimin e qasjes në shërbime publike në vendbanimin e tyre.

Si përgjigje, Aleksandar Martinoviq, deklaroi se procesi i pasivizimit nuk është në kompetencën e Trupit Koordinues, por i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai tha se ky është një veprim administrativ që rrjedh nga Ligji për vendbanim dhe vendqëndrim i qytetarëve dhe që zbatohet në të gjithë territorin e Serbisë, jo vetëm në zonat e banuara nga shqiptarët. Sipas tij, adresa e vendbanimit mund të rikthehet në gjendje të rregullt përmes procedurës së paraparë me ligj.

Martinoviqi ishte i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, z.Nenad Mitroviq. Megjithëse autoritetet shtetërore e paraqesin këtë proces si një zbatim standard ligjor, në praktikë ai është I kontestuar pothuajse ekskluzivisht në zonat me shumicë shqiptare, gjë që ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues vendorë, organizata joqeveritare dhe institucione ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut.

Sipas këtyre aktorëve, pasivizimi është shndërruar në një formë të re të margjinalizimit administrativ të heshtur, me pasoja serioze për përfaqësimin politik dhe stabilitetin social të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Në mungesë të një qasjeje të koordinuar dhe transparente nga ana e institucioneve shtetërore, pasivizimi mbetet një nga çështjet më të debatueshme dhe më të ndjeshme në marrëdhëniet mes shqiptarëve të Luginës dhe autoriteteve qendrore në Beograd.