PASIVIZIMI, SIPAS BEOGRADIT, PROCES JOETNIK

Pas reagimit të BE-së, Martinoviq mbron pasivizimin: “Proces i ligjshëm për gjithë Serbinë”

Foto: www.vojvodinauzivo.rs

Pas reagimit të Presidentit të Këshillit të Evropës, António Costa, ndaj një letre të deputetit shqiptar Shaip Kamberi lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi, çështja është rikthyer në qendër të debatit publik. Në vijim të këtyre zhvillimeve, ka reaguar edhe kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, duke e cilësuar pasivizimin si një “proces tërësisht administrativ”.

Në një deklaratë zyrtare, Martinoviq ka përsëritur qëndrimet e shprehura më herët në një konferencë për media të mbajtur në Preshevë, ku ka theksuar se pasivizimi i adresave nuk përbën çështje politike dhe se zbatohet në mënyrë të njëjtë në të gjithë territorin e Serbisë, pa dallim etnik.

“Procesi i pasivizimit të adresave është ligjor dhe teknik dhe nuk ka të bëjë aspak me përkatësinë etnike të qytetarëve. Statistikat zyrtare e dëshmojnë këtë: nga fundi i vitit 2011 deri në mesin e vitit 2024, janë pasivizuar 647 adresa në Inxhi, 3.863 në Nish dhe 3.022 në Pançevë. Kjo e përgënjeshtron çdo pretendim për diskriminim ndaj shqiptarëve,” thuhet në reagimin e Martinoviqit.

Ai akuzon deputetin Kamberi për “dezinformim të qëllimshëm” dhe për përpjekje për të politizuar një çështje administrative, duke pretenduar se qëllimi i tij është destabilizimi i komunave në jug të Serbisë.

“Është e rrezikshme që konflikti institucional në Kosovë të projektohet në Preshevë e Bujanoc” u shpreh Martinoviq, duke e cilësuar veprimin e Kamberit si të njëanshëm dhe joinstitucional. Sipas tij, dialogu me autoritetet është i mundur vetëm nëse ekziston vullnet nga të dy palët. Martinoviq gjithashtu thekson se Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit shqiptar. Sipas tij, dy mjeke shqiptare janë punësuar në mënyrë të përhershme në Vranjë, shkolla “Sami Frashëri” në Lluçan do të rinovohet me një investim prej 90 milionë dinarësh dhe janë hapur grupe të reja parashkollore në gjuhën shqipe në Bujanoc.

Ai rikujton se një nga ministrat aktualë të Qeverisë së Serbisë vjen nga komuniteti shqiptar, gjë që, sipas tij, dëshmon “integrimin e thellë institucional”. “Politika e Serbisë për pakicat nuk bazohet në deklarata politike, por në vepra konkrete. Pasivizimi nuk është mjet për diskriminim, por pjesë e sistemit administrativ të kontrollit të vendbanimeve, ashtu si në të gjitha shtetet e organizuara”, përfundon deklarata e Martinoviqit.