PASIVIZIMI I ADRESAVE NË JUG TË SERBISË

Nevoja për procedura më transparente

Foto: www.123rf.com

Pasivizimi i adresave në jug të Serbisë, veçanërisht në komunat si Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, është një problem serioz sepse shpie në humbjen e të drejtave elementare të qytetarëve. Ky proces nënkupton ç’regjistrimin e qytetarëve nga adresat ku janë regjistruar, që mund të nënkuptojë humbje të së drejtës për të votuar, akses në kujdesin shëndetësor dhe mundësinë e lëshimit të dokumenteve personale.

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si bëhet verifikimi i statusit të vendbanimit, veçanërisht në këto komuna, duke kërkuar nga autoritetet serbe që të sqarojnë procedurat që shpiejnë në pasivizim. Ministria e administratës shtetërore dhe vetadministrimit lokal pretendon se verifikimet e vendbanimit kryhen në përputhje me ligjin dhe nuk u drejtohen grupeve të veçanta, ndërsa organizatat joqeveritare flasin për parregullsi, duke theksuar se shumica e qytetarëve nuk janë të informuar për aktvendimet mbi pasivizimin, por për këtë mësojnë kur përpiqeni të marrin dokumentacion personal.

Qytetarët shpesh duhet të dëshmojnë vendbanimin e përhershëm në adresat e tyre, gjë që kufizon lirinë e tyre të lëvizjes. Kjo shkaktoi kritika si nga institucionet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, të cilat theksojnë nevojën për procedura më transparente dhe informim adekuat publik. Mbi problemin e pasivizimit flitet edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian mbi progresin e Serbisë, ku apelon për respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe zbatimin jo selektiv të ligjit.

Zgjidhja e këtij problemi kërkon:

Transparenca e procedurave përmes informimit të qartë të qytetarëve për kriteret dhe procedurat e pasivizimit.

Sigurimi i mbrojtjes ligjore, duke përfshirë të drejtën për ankimim dhe njoftimin në kohë të vendimeve.

Zbatimi jo selektiv i ligjit për të siguruar që verifikimet e vendbanimit të kryhen në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Përfshirja e organizatave ndërkombëtare për të mbikëqyrur zbatimin e këtyre procedurave.

Shembujt e individëve që janë përballur me këtë problem ndriçojnë më tej seriozitetin e situatës. Safet Demiroviq nga Medvegja tentoi t’i rinovojë dokumentet e tij personale, por ai zbuloi se adresa e tij ishte pasivizuar pa njoftim paraprak. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe me Teuta Fazliun nga Bujanoci, e cila ka humbur të drejtën e votës për shkak të pasivimit të adresës së saj, edhe pse prej vitesh jeton në të njëjtin vend.

Raste të tilla tregojnë nevojën urgjente për procedura më transparente dhe respektimin e të drejtave elementare të qytetarëve. Pasivizimi i adresave nuk është një problem që prek vetëm individët por edhe komunitete të tëra dhe kërkon hapa vendimtarë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucionet.