PASIVIZIMI I MËRGIMTARËVE

Në Vjenë ‘jugoviq’, në Serbi ‘gjerman’

Foto: www.kurir.rs

Për shumë emigrantë të rinj, ardhja në pushime verore në Serbi, në vend të gëzimit, po kthehet në një përballje me një sistem që nuk u beson, nuk i kupton dhe, më e rënda, po i fshin sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

Bujanoc / Vjenë / Suboticë, qershor 2025

“Fluturoj drejt Serbisë më 10 korrik dhe tashmë ndjej ankth. Verën e kaluar më kthyen nga stacioni i policisë sepse adresa ime ishte ‘pasivizuar’. Nuk mund të nxjerrja letërnjoftim, nuk mund të bleja veturë, nuk mund të hapja llogari bankare. Në vendin ku kam lindur më trajtuan si të huaj”. Kështu rrëfen M.I. (27) i lindur në Bujanoc dhe sot i punësuar si IT në Vjenë. Verës, ai kthehet në vendlindje ku ka familjen. Aty kalon çdo pushim, por, siç thotë ai, administrata serbe e pret si të padëshiruar.

Sezoni veror, sezonë e fshirjes?

Gjatë korrikut dhe gushtit, kur mijëra mërgimtarë kthehen në vendlindje – me fëmijë, me vetura me targa të huaja, shpesh edhe me plane për të investuar – shumë prej tyre përballen me të njëjtën skenë: në sportel ju thuhet se “nuk figurojnë më në sistem”.

Sipas të dhënave të brendshme nga OJQ-të në Pçinjë dhe Jabllanicë, një numër i madh të rinjsh nga diaspora kanë tentuar të rregullojnë dokumentet – por mbi 40% prej tyre kanë zbuluar pasivizimin e adresës. Pa asnjë paralajmërim.

“Nuk e di që nuk ekziston derisa të përpiqesh të regjistrohesh”

A.M. (25) nga Presheva ka studiuar në Zvicër. Gjatë verës shkon te gjyshja, dhe vitin e kaluar tentoi të rinovojë pasaportën. Nuk ia doli.

“Më thanë : adresa juaj është fshirë sepse nuk jeni në Serbi. Po ku shkruhet se nuk lejohet të studiosh jashtë? Ku thuhet se për këtë arsye duhet të të fshijnë nga vendi?”

Pas një muaji dokumentesh dhe disa vizitave në polici, arriti të marrë dokumentet – por trauma dhe ndjenja e poshtërimit mbetën. “Më bënë të ndihesha sikur nuk isha e mirëseardhur.”

Në vend të mirëseardhjes – një mur burokratik

Shumë të kthyer sjellin plane investimi: rinovime të shtëpive, biznese të vogla, kontribute në komunitet. Në vend të mbështetjes – marrin refuzime.

Safet R. i kthyer nga Gjermania që përpiqet të hapë një punëtori artizanale në Bujanoc thotë se heshtja e institucioneve e ka lënduar më shumë se gjithçka tjetër. “Erdha me plan për të punësuar dy kushërinj dhe një fqinj. Por, pasi nuk kam adresë, nuk kam të drejtë të regjistrojë biznes. Pasaporta më është lëshuar në Beograd, por atje jam tani një askush. Fshati ekziston, shtëpia është aty, por unë jo”.

Nuk ka zhvillim pa identitet

Prof. Dr. Saša I., sociolog nga Nishi, paralajmëron se pasivizimi administrativ po dërgon një “mesazh të gabuar dhe shkatërrues” për të rinjtë që vijnë nga diaspora. “Ata vijnë plot vullnet dhe energji për të kontribuar, ndërsa ne u dërgojmë sinjalin: ‘Nuk jeni tonët.’ Kështu nuk i mbajmë njerëzit. Kështu i detyrojmë të mos kthehen kurrë.”

Komuna si Bujanoci, Presheva dhe Medvegja – tashmë të goditura nga zbrazja e popullsisë – nuk mund ta lejojnë luksin të humbin njerëz që duan të kthehen.

“Kam dy atdhe, por në asnjërin nuk jam i plotë”

Të rinjtë nga diaspora flasin gjithnjë e më shpesh për ndjesinë e “refuzimit të dyfishtë” – atje janë të huaj sepse vijnë nga Ballkani, këtu sepse “nuk janë më tanët”.

“Kam dy atdhe, por në asnjërin nuk jam i plotë”, thotë Vladani. “Në Vjenë jam ‘jugoviq’, në Serbi jam ‘gjerman’. E unë desha vetëm të nxjerr një letërnjoftim.”

Për shumë emigrantë të rinj, ardhja në pushime verore në Serbi, në vend të gëzimit, po kthehet në një përballje me një sistem që nuk ju beson, nuk i kupton dhe më e rënda, po i fshin sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.