KUR QEVERIA E KOSOVËS I ADRESOHET BRUKSELIT PËR SHQIPTARËT NË SERBI

Kurti dhe përpjekja për “evropianizimin” e hetimit të pasivizimit

Foto: www.portalb.mk

Më 4 shkurt 2025, zyrja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës i dërgoi një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, znj.Kaja Kallas, lidhur me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Letra, e nënshkruar nga Kryeministri Albin Kurti, fokusohej kryesisht në pasivizimin e adresave, të cilin Qeveria e Kosovës e konsideron një formë të re, administrative, të diskriminimit të qëndrueshëm, ndaj komunitetit shqiptar në jug të Serbisë.

Në këtë adresim zyrtar, kryeministri Albin Kurti theksonte se pasivizimi i adresave ishte shndërruar në një mekanizëm që kishte ndikuar drejtpërdrejt në përjashtimin qytetar të mijëra shqiptarëve. Sipas të dhënave të përmendura në letër, vetëm deri në vitin 2021, mbi 6.200 qytetarë shqiptarë ishin fshirë nga regjistrat civilë, shumica prej tyre pa paralajmërim dhe pa mundësi mbrojtjeje ligjore. Vetëm në komunën e Medvegjës rreth 4.000 raste të tilla.

Letra gjithashtu ngrinte shqetësimin për përjashtimin ekonomik dhe institucional të komunitetit shqiptar në Luginë. Përmendej shkalla e lartë e papunësisë, mungesa e përfaqësimit në administratë dhe sistemin e drejtësisë, si dhe pengesat e vazhdueshme për njohjen e diplomave të marra në Kosovë, gjë që kishte ndikuar në ikjen e të rinjve dhe rrjedhjen e kapaciteteve profesionale nga rajoni. Kryeministri Kurti theksonte se për 18 gjenerata me radhë, shqiptarët e Luginës ishin privuar nga mundësia për të kontribuar me dijen dhe profesionet e tyre në komunitet.

Në letër përmendej gjithashtu fakti se mohimi i përdorimit të simboleve kombëtare dhe ndalimi i aktiviteteve kulturore në disa raste kishte përbërë shkelje të të drejtave për shprehje identitare dhe kulturore, të garantuara si nga kushtetuta vendore, ashtu edhe nga konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.

Kryeministri i Kosovës e përmbyllte letrën me një kërkesë drejtuar Bashkimit Evropian për të ndërmarrë hapa konkretë në hetimin e kësaj praktike dhe për të kërkuar nga Serbia përputhshmëri me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.