MBROJTJA JURIDIKE DHE STANDARDET EVROPIANE

Kur adresa zhduket nga sistemi: Çfarë thotë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut?

Foto: www.coe.int

Krahas rregullave juridike të brendshme, çështja e pasivizimit të adresës lidhet drejtpërdrejt me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe të drejtën për mjet juridik efektiv. Para së gjithash, pasivizimi ndikon në gëzimin e të drejtave nga neni 8 i KEDNJ-së (respektimi i jetës private dhe familjare dhe i banesës), sepse “fshirja” administrative e vendbanimit cenon lidhjen e individit me vendin e banimit dhe mund të shkaktojë efekte zinxhir në qasjen ndaj të drejtave dhe shërbimeve publike. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e pranon se regjimet e paraqitjes së vendbanimit dhe praktikat e regjistrimit janë të mbrojtura ne nenin 8, bazuar në kontestin ligjor Tatishvili kundër Rusisë, me ç’rast Gjykata shqyrtoi arbitraritetin e refuzimit të regjistrimit dhe standardet e procedurës që duhet të jenë të parashikueshme, të qasshme dhe të bazuara në ligj, pa pengesa arbitrare. Këto parime janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të pasivizimit të adresës në të drejtën vendore.

E drejta vendore parashikon mbrojtje administrative në dy nivele: ankesë pranë Ministrisë kompetente për punët e brendshme brenda afatit prej tetë ditësh nga pranimi i aktvendimit për pasivizim, dhe më pas kontroll gjyqësor të ligjshmërisë së aktit administrativ përfundimtar në kontest administrativ para Gjykatës Administrative. Ligji për kontestet administrative siguron mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe interesave juridike individuale kundër akteve administrative përfundimtare, si dhe mbrojtje në rastin e “heshtjes së administratës”. Në këtë mënyrë, ekziston formalisht një rrugë nga mbikëqyrja administrative deri te ajo gjyqësore mbi aktvendimin për pasivizim. Kompetenca e Gjykatës Administrative përfshin në mënyrë eksplicite kontestet kundër vendimeve të shkallës së dytë, por edhe kundër aktit të shkallës së parë kur ankesa nuk lejohet, gjë që sistematikisht siguron qasje në gjykatë për vlerësimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të masës.

Megjithatë, organet ndërkombëtare dhe organizatat vendore për të drejtat e njeriut tregojnë për vështirësi praktike: mungesë transparence në procedura, deficit në arsyetimin e aktvendimit, vështirësi në dëshmimin e banimit dhe qasje të kufizuar në mjete juridike efektive. Në Mendimin e Pestë të Komitetit Këshillues të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (të Këshillit të Evropës) nga maji 2025, thuhet qartë se praktika e “pasivizimit” të adresave, veçanërisht në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë, ngjall shqetësim si për mënyrën e marrjes së aktvendimeve nga organet e sigurisë publike, ashtu edhe për mungesën e mjeteve juridike efektive për kundërshtimin e atyre aktvendimeve; që si pasojë, kjo ndikon në gëzimin e barabartë të të drejtave nga ana e pjesëtarëve të pakicave. Këto gjetje krijojnë detyrimin për të rishikuar përputhshmërinë e praktikës vendore me standardet e procedurës së drejtë dhe mjetit juridik efektiv në dritën e nenit 13 të KEDNJ-së dhe nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) në lidhje me nenin 8 të Konventës.

Të dhënat empirike nga shoqëria civile tregojnë për përmasat dhe pasojat. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar mijëra raste të pasivizimit të adresave në komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në periudhën 2011–2023, me rekomandime për organet kompetente që të sigurojnë statistika të plota, të standardizojnë procedurat dhe të rishikojnë proporcionalitetin e masave. Përveç kësaj, punimet analitike krahasuese (p.sh. Max Planck Working Paper 2023) evidentojnë modele të pasivizimit dhe tregojnë për nevojën e garancive më të forta procedurale dhe mbikëqyrjes së pavarur. Këto burime janë të rëndësishme për vlerësimin e qasjes reale në mjete juridike dhe praktikën e vendimmarrjes në rastet kur pasivizimi ka prekur një numër të madh qytetarësh.

Praktika vendore e organeve mbikëqyrëse ndriçon më tej këtë problem. Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë në vitin 2025, në një rast që lidhej me procedurën e regjistrimit të vendbanimit, konstatoi diskriminim mbi bazën e përkatësisë kombëtare, gjë që tregon se, kur ndodh kontrolli, organet e pavarura dinë të njohin dhe të sanksionojnë trajtimin e pabarabartë në praktikën administrative. Edhe pse ai rast nuk ishte nga komunat e jugut të Serbisë, standardet që dalin prej tij (trajtim i barabartë, ndalim i pengesave të paarsyetuara për regjistrim) janë të rëndësishme për vlerësimin e ligjshmërisë dhe paanshmërisë në gjithë procedurat e pasivizimit.

Sa i përket garancive praktike të procedurës së drejtë, standardet e Gjykatës Evropiane kërkojnë që ndërhyrjet që ndikojnë në gëzimin e të drejtave nga neni 8 të jenë “në përputhje me ligjin”, të shërbejnë një qëllimi legjitim dhe të jenë “të domosdoshme në një shoqëri demokratike”, çka përfshin proporcionalitetin dhe garancitë procedurale adekuate: njoftim të qartë dhe të përkohshëm, vendim të arsyetuar, afat efektiv dhe mundësi reale ankese, si dhe mbikëqyrje gjyqësore të pavarur dhe efektive. Ligji vendës formalisht i plotëson disa nga këto kushte (ekzistenca e aktvendimit të shkruar, e drejta e ankimit dhe kontesti administrativ), por gjetjet e Komitetit Këshillues dhe raportet e shoqërisë civile sugjerojnë se është e nevojshme të përmirësohet transparenca e kritereve, unifikimi i praktikës dhe qasja në informacion për qytetarët, adresat e të cilëve janë pasivizuar.

Në përfundim, që pasivizimi i adresës të jetë në përputhje me standardet evropiane, është e domosdoshme:  (1) të jetë i bazuar rreptësisht në ligj dhe në fakte të verifikueshme, (2) aktvendimet të jenë të individualizuara dhe të arsyetuara, (3) procedura e ankimit të jetë efektive dhe e qasshme, me mundësi mbikëqyrjeje gjyqësore pa pengesa të tepruara formale, (4) të ekzistojë transparencë statistikore dhe mbikëqyrje e jashtme (p.sh. nga organe të pavarura dhe komisione parlamentare). Korniza normative vendore parashikon mekanizmat kyç (ankesë në MPB dhe kontest administrativ), por gjetjet ndërkombëtare dhe përvoja vendore tregojnë për nevojën e zbatimit të tyre në mënyrë të qëndrueshme, jodiskriminuese dhe të parashikueshme në praktikë – veçanërisht në komunat e jugut të Serbisë me pjesëmarrje të konsiderueshme të popullsisë shqiptare.

 

Shpërndaje në: