Këshilli i Evropës fton autoritetet serbe për dialog me shqiptarët për pasivizimin e adresave

Foto: www.liburnetik.org

Më 5 maj 2025, Këshilli i Evropës publikoi Opinionin e V-të për Serbinë, në të cilin për herë të parë përfshihet në mënyrë të qartë pasivizimi i adresave. Në seksionin “Rekomandime për veprim të menjëhershëm”, Komiteti Këshillues i bën thirrje autoriteteve të Serbisë që të “zhvillojnë dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit shqiptarë për t’i adresuar shqetësimet mbi praktikën diskriminuese të ‘pasivizimit’ të adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të sigurojnë qasje në mjete efektive juridike”.

Në pikën 12 të dokumentit theksohet se metodat që po përdoren nga autoritetet për verifikimin e statusit të banimit në këto komuna janë problematike dhe po cenojnë të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Raporti shpreh shqetësim për mungesën e transparencës në këtë proces, për ndikimin e tij në të drejtën e votës, për pamundësinë për të marrë dokumente personale dhe për përjashtimin nga shërbimet publike, duke e cilësuar këtë praktikë si një formë diskriminimi në bazë etnike.

Ky raport përfaqëson një moment të rëndësishëm ndërkombëtar. Ai jo vetëm që legjitimon shqetësimet e komunitetit shqiptar, por i vendos ato në një kornizë të të drejtave të njeriut të njohura nga një institucion me autoritet të lartë evropian. Ai gjithashtu përforcon nevojën për ndërprerjen e menjëhershme të pasivizimit si instrument administrativ dhe për rivendosjen e të drejtave të qytetarëve të prekur.

Me publikimin e këtij raporti, çështja e pasivizimit të adresave nuk është më një pretendim lokal apo një debat politik – ajo është tashmë një çështje e të drejtave të njeriut, e dokumentuar zyrtarisht nga Këshilli i Evropës. Ky fakt u jep përfaqësuesve të shqiptarëve në Serbi një bazë të fortë për të kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike diskriminuese dhe për të angazhuar më fuqishëm institucionet vendore dhe ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave qytetare.