AVOKATI JOVANOVIQ I DREJTOHET PARLAMENTIT EVROPIAN PËR PASIVIZIMIN

Kërkesa për ndërhyrje evropiane

Foto: www.danas.rs

Lluka Jovanoviq nga Beogradi është njëri nga avokatët që po trajton rastet e pasivizimit të qytetarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Përderisa po përfaqëson disa prej rasteve pranë Gjykatës Administrative në Beograd, ai e ka ngritur së fundi zërin edhe në instanca ndërkombëtare, përfshirë në Parlamentin Evropian, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbikëqyrje ndërkombëtare për këtë çështje.

Sipas Jovanoviqit, pasivizimi ka cenuar mijëra qytetarë të pakicës shqiptare në Serbi nga të drejtat e tyre më themelore, përfshirë të drejtën për të pasur një dokument identiteti, qasje në kujdes shëndetësor, qasje në arsim dhe të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai shprehet se kjo është një formë përjashtimi institucional dhe përjashtimi nga sistemi, që shkon përtej ligjshmërisë dhe përbën një çështje që prek thelbin e shtetit të së drejtës.

“Unë përfaqësoj qytetarë të cilëve iu është hequr në mënyrë arbitrare e drejta për të qenë pjesë e sistemit. Ata nuk janë njoftuar, nuk janë pyetur dhe nuk kanë pasur mundësi të mbrojnë veten para se t’iu pasivizohej adresa. Kjo është shkelje flagrante e parimeve themelore të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor” është shprehur Jovanoviq në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Ai thekson se pasivizimi i adresave nuk është një akt i izoluar ose teknik. “Kjo është një formë moderne e inxhinierisë administrative me pasoja të rënda për të ardhmen e të gjithë rajonit. Përmes pasivizimit të adresave, po ndryshon në mënyrë artificiale përbërja e trupit votues dhe po ndikohet përbërja e pushtetit lokal”, ka shtuar ai.

Duke qenë i vetëdijshëm për kufizimet e sistemit gjyqësor të brendshëm dhe mungesën e reagimit institucional në Serbi, Jovanoviq ka ndërmarrë hapa për internacionalizimin e çështjes, përmes komunikimit me eurodeputetët dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në një letër drejtuar eurodeputetit dhe raportuesit të përhershëm të Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ai thekson se shumë qytetarë kanë humbur të drejtën për të votuar, për të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë dhe për të ushtruar të drejtat e tyre civile dhe politike, pa ndonjë procedurë të rregullt, apo mundësi ankese.“Apeloj për një përfshirje aktive të institucioneve evropiane në monitorimin e kësaj praktike diskriminuese. Këtu nuk kemi të bëjmë me raste individuale, por me një strukturë të tërë të padrejtësisë institucionale, që ka nevojë për zgjidhje afatgjate dhe sistematike,” thekson Jovanoviq. Ai vlerëson se pa presion ndërkombëtar dhe pa rritjen e vëmendjes ndaj kësaj çështje, mijëra qytetarë do të vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga sistemi, duke u lënë në një gjendje pasigurie ligjore dhe sociale. Sipas tij, ky është një moment vendimtar për të reaguar dhe për të rikthyer shtetin e së drejtës si bazë për bashkëjetesën dhe përfaqësimin e barabartë të të gjithë qytetarëve në Serbi, pa përjashtim.