PASIVIZIMI I ADRESAVE NË SERBI NXIT REAGIME ZYRTARE NGA BRUKSELI

BE i përgjigjet Kamberit: Pasivizimi i adresave, çështje në raportet e zgjerimit për Serbinë

Foto: www.sarkaripariksha.com

Deputeti i pakicës kombëtare shqiptare në parlamentin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, ka marrë dy përgjigje zyrtare nga institucionet e Bashkimit Evropian në lidhje me çështjen e pasivizimit të adresave të qytetarëve shqiptarë në Serbi.

Përgjigja e parë vjen nga Presidenti i Këshillit të Evropës, António Costa, si reagim ndaj një letre që Kamberi kishte dërguar më 25 shkurt 2025. Në këtë letër, ai kishte ngritur shqetësimin për pasojat politike dhe sociale të pasivizimit të adresave, një praktikë që – sipas tij – po përdoret për të përjashtuar shqiptarët nga proceset demokratike dhe institucionale në Serbi. Përgjigja zyrtare, e nënshkruar nga shefi i kabinetit të Presidentit Costa, Pedro Lourtie, është dërguar më 18 korrik 2025 dhe përfaqëson një ndër qëndrimet më të qarta institucionale të BE-së mbi këtë çështje. Në letër theksohet se Bashkimi Evropian është duke ndjekur me vëmendje trajtimin e pakicave kombëtare në Serbi dhe se pasivizimi i adresave është tashmë pjesë e analizave dhe raporteve të zgjerimit për Serbinë. BE rithekson se do të vazhdojë t’u kërkojë autoriteteve serbe sqarime më të qarta për mënyrën e verifikimit të statusit të vendbanimit, duke nënvizuar se kjo çështje ka ngritur shqetësime serioze në nivelin më të lartë të strukturave evropiane.

Përgjigja e dytë ka ardhur nga Komisionerja për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila në një letër drejtuar Kamberit konfirmon se Komisioni Evropian po ndjek me kujdes trajtimin e personave që i përkasin pakicave kombëtare në Serbi, përfshirë komunitetin shqiptar. Ajo rikujton se Serbia, në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim në BE, është e detyruar të respektojë dhe zbatojë standardet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Lidhur me çështjen specifike të pasivizimit të adresave, Kos pohon se raporti i fundit i Paketës së Zgjerimit për vitin 2024 e trajton këtë si një çështje serioze, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe të shpjegojnë qartë për publikun mënyrën se si po kryhen verifikimet e qëndrimit dhe nëse jugu i Serbisë është veçanërisht i shënjestruar.

Shaip Kamberi e ka vlerësuar këtë reagim të dyfishtë nga Brukseli si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit institucional të kësaj problematike. Ai thekson se pasivizimi i adresave ka pasoja të rënda politike, sociale dhe njerëzore, dhe kërkon hetim të pavarur ndërkombëtar për të zbardhur përmasat e kësaj dukurie që prek drejtpërdrejt përfaqësimin politik, të drejtat pronësore, qasjen në shërbime dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët shqiptarë.