BAZA LIGJORE DHE PRAKTIKA INSTITUCIONALE E PASIVIZIMIT

Korniza juridike vendore dhe procedura e pasivizimit të adresës

Foto: www.uplatnica.rs

Regjimi juridik i regjistrimit dhe ç’regjistrimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi rregullohet nga Ligji për vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve. Ky ligj përcakton detyrimin për të regjistruar dhe ç’regjistruar vendbanimin dhe vendqëndrimin, si dhe mbajtjen e evidencave përkatëse nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Në këtë kuadër, është përcaktuar se “pasivizimi i adresës” nënkupton shënimin në evidencën e organit kompetent se qytetari nuk banon në adresën e vendbanimit apo vendqëndrimit të regjistruar. Ligji përcakton qartë se organi kompetent është njësia organizative territoriale e MPB-së sipas vendbanimit/qëndrimit, si dhe detyrimin e përgjithshëm të qytetarëve të rritur për të regjistruar dhe ç’regjistruar vendbanimin/qëndrimin brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Vendbanimi, në kuptimin administrativ, është vendi ku qytetari është vendosur me qëllim që të jetojë përherë, pra qendra e aktiviteteve të tij jetësore. Këtë çështje, në mënyrë praktike dhe operative, MPB e shpjegon më tej në portalin e saj për qytetarët, ku është theksuar edhe detyrimi për regjistrim brenda afatit prej tetë ditësh nga vendosja në adresën përkatëse. Kështu tregohet se si kuadri normativ i ligjit zbatohet në praktikën e rregullt administrative.

Dispozita kyçe për pasivizimin e adresës është e përfshirë në nenin 18 të Ligjit. Me kërkesë të gjykatës, organit të administratës shtetërore, ndonjë organi apo organizate tjetër, si dhe personit juridik apo fizik që ka interes të ligjshëm të arsyetuar, organi kompetent kryen verifikimin e faktit të banimit të përhershëm apo vendqëndrimit të përkohshëm në adresën e regjistruar. Nëse me atë verifikim konstatohet se qytetari nuk banon në adresën ku ka të regjistruar vendbanimin/qëndrimin, ose se ka dhënë të dhëna të pasakta gjatë regjistrimit, organi kompetent nxjerr aktvendim mbi pasivizimin e adresës. Aktvendimi është akt administrativ që duhet t’i dorëzohet palës; pas pranimit të aktvendimit, qytetari që jeton në Serbi është i detyruar që brenda afatit prej tetë ditësh të regjistroj vendbanimin e ri dhe adresën ku realisht banon, ndërsa kundër aktvendimit mund të paraqesë ankesë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme brenda të njëjtit afat.

Ligji njëkohësisht rregullon edhe detyrimet pasuese dhe sanksionet. Është kundërvajtje ligjore nëse pas pranimit të aktvendimit për pasivizim, personi nuk regjistron vendbanimin dhe adresën brenda afatit ligjor prej tetë ditësh; ligji parashikon përgjegjësi kundërvajtëse për moskryerjen e paraqitjes brenda atij afati. Në praktikë, në pyetjet e shpeshta të publikuara në faqen e saj, MPB e thekson pikërisht këtë afat tetëditor dhe detyrimin për të regjistruar adresën reale të banimit pas pasivizimit. Kështu konfirmohet se pasivizimi prodhon detyrim të menjëhershëm për palën që të harmonizojë gjendjen e vet me evidencat.

Segment i rëndësishëm është edhe roli institucional i MPB-së si ruajtës i evidencave dhe organ mbikëqyrës. Ligji përcakton që MPB të mbajë evidenca elektronike unike për vendbanimin, vendqëndrimin dhe qëndrimin e përkohshëm jashtë vendit, si dhe të ushtrojë mbikëqyrje mbi zbatimin e dispozitave nga kjo fushë. Praktikumi në faqen e internetit të MPB-së përshkruan dëshmitë tipike që bashkëngjiten me paraqitjen e vendbanimit (dëshmia për bazën juridike të përdorimit të banesës, pëlqimi i pronarit, etj.), gjë që është relevante edhe në fazën e tejkalimit të pasojave të pasivizimit, kur personi duhet të dëshmojë banimin real në një adresë konkrete ose të paraqesë adresë të re.

Ligji parashikon edhe një sërë situatash kur organi, sipas detyrës zyrtare, mund të pasivizojë adresën (p.sh. në rastin e humbjes së shtetësisë apo vdekjes), por edhe mekanizma për “gjallërimin” e statusit përmes regjistrimit të rregullt të adresës reale të banimit. Praktika dhe shpjegimet publike të disponueshme konfirmojnë se pasivizimi zakonisht ndodh pas verifikimeve që inicohen me kërkesë të organeve kompetente apo subjekteve të interesuara me interes të ligjshëm të arsyetuar, dhe se vendimi formalizohet me akt administrativ me të drejtë ankese. Kështu, çështja e pasivizimit është bazuar në mënyrë adresore dhe procedurale në të drejtën vendore, me afate të përcaktuara, paraqitje të provave dhe rrugë të mbrojtjes juridike.

Shpërndaje në: