Publikohet hulumtimi: ‘Procesi i paskonfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: (Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi’

Mungesa e rezultateve të dukshme në zhvillim ekonomik dhe në integrim të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet e nivelit republikan dhe rajonal janë dy qëllimet më të parealizuara të procesit të paskonfliktit në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, konstaton publikimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut: ‘Procesi i paskonfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: (Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi’, që ka hulumtuar pozitën aktuale dhe identifikimin e sfidave dhe mundësive të procesit të integrimit të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë.

“Ekziston një shkallë e lartë e nënpërfaqësimit të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet republikane dhe rajonale, ku ka madje ende organe shtetërore që mbulojnë territoret e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nuk kanë asnjë të punësuar nga pakica kombëtare shqiptare. Në komunën e Medvegjës edhe në disa institucione komunale”, thuhet në përfundimin e hulumtimit i cili ngrit edhe prirjen negative të kontestimit të shumetnicitetit institucional edhe në nivel komunal.

Të dhënat e publikuara tregojnë se përfaqësimi i pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare është ende i ulët në gjyqësor, teksa ka trend regresiv edhe në policinë lokale, gjë që mund ta prapakthejë procesin e përfaqësimit më të mirë të shqiptarëve i cili pati rezultate të para pozitive përgjatë procesit të zbatimit të marrëveshjeve. Duke e konstatuar “dinamikën e ngadaltë” të procesit të paskonfliktit të “përkeqësuar me procesin e pasivizimit të adresave”, hulumtimi shqyrton përparimet, ngecjet dhe vështirësitë kryesore të procesit së paskonfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke adresuar aktet ndërkombëtare dhe normat kushtetuese e ligjore të cilat trajtojnë çështjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare, dokumentet kryesore të marrëveshjeve të posaçme për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën dhe të dhënat e (mos)zbatimit të tyre, veçmas ‘Plani Shtatëpikësh’ (7PP), që është edhe baza e dialogut të tanishëm shoqëror ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe pakicës kombëtare shqiptare.

Sipas këtij publikimi, procesi i paskonfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, karakterizohet me përparim në stabilitet dhe stagnim në zhvillim ekonomik e demokratizim. “Përderisa është stabilizuar gjendja e sigurisë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ku nuk janë shënuar ndër vite incidente mbi baza etnike; megjithatë, paqja e qëndrueshme mbetet ende sfidë për të ardhmen, duke pasur parasysh mungesën e mirëqenies socio-ekonomike, vazhdimin ose thellimin e distancës ndëretnike, si dhe mosbesimin midis pakicës kombëtare shqiptare dhe organeve shtetërore”, thuhet në raport.

Hulumtimi jep po ashtu të dhëna mbi zhvillimin ekonomik që mbetet problem serioz, teksa Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë ende komuna me nivelin më të ulët të zhvillimit dhe me pagë mesatare nga më të ultat në Serbi. “Përderisa ka pasur përparim në përmirësimin e infrastrukturës, nuk duket se ka pasur ndonjë rimëkëmbje relevante ekonomike nga politikat e deritanishme publike të fokusuara në subvencionimin e ndërmarrjeve vendore, apo në privatizimet e deritanishme”, thotë raporti. 

Zbatimi, rishikimi dhe avancimi i normave ekzistuese kushtetuese dhe dispozitave ligjore të Republikës së Serbisë që garantojnë të drejtat e pakicave kombëtare; dinamizimi i dialogut ndërmjet qeverisë republikane dhe përfaqësuesve lokalë shqiptarë; si dhe krijimi i mekanizmave efektiv për zbatimin e marrëveshjeve të veçanta të Republikës së Serbisë ndaj komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; sidomos Planin Shtatëpikësh (7PP) janë disa nga propozimet e paraqitura.

Rekomandohet po ashtu intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, zbatimi i marrëveshjeve rajonale dhe bilaterale, si ato në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Shtëpisë së Bardhë, Dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel, që kanë efekt pozitiv në tejkalimin e probleme aktuale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si psh në njohjen e diplomave universitare midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky publikim u mundësua në kuadër të projektit ‘Serbia e jugut – sundimi i ligjit për të gjithë’, me mbështetjen e The Rockefeller Brothers Fund.