MES LARGIMIT DHE KTHIMIT

Pasivizimi si frikë nga humbja e shtëpisë

Foto: www.Medvegja.net

Në Luginë të Preshevës, sot ka shtëpi ku drita ende ndizet çdo mbrëmje, edhe pse dhomat janë prej kohësh bosh. Në to zakonisht jetojnë nënat – ato që çdo mëngjes hapin portën, ujisin oborrin dhe ruajnë dokumentet e fëmijëve të tyre në një sirtar, si dëshmi se ende ekziston lidhja mes largimit dhe vatrës.

Fëmijët e tyre kanë shkuar për studime, për punë sezonale ose në Gjermani, Zvicër e Austri. Janë larguar sepse kanë dashur jetë më të sigurt, punë dhe perspektivë. Por në shumë familje ka mbetur shpresa se ky largim nuk do të jetë i përhershëm.

Megjithatë, vitet e fundit çështja e pasivizimit të adresave ka sjellë frikë shtesë mes familjeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sidomos mes grave që kanë mbetur të jetojnë në ato shtëpi.

„Djali im punon në Gjermani prej tre vitesh. Vjen kur mundet. Dhoma e tij është e njëjtë si kur iku. Por kur na thanë se, bazuar në dokumentin administrative,  nuk jeton më këtu, pata ndjenjën sikur dikush po përpiqej të fshinte një pjesë të familjes sonë“, rrëfen S. R. (52) nga rrethina e Bujanocit.

Për shumë gra në Luginë të Preshevës, adresa nuk është vetëm të dhënë administrative. Ajo është dëshmi se familja ende ekziston e bashkuar, qoftë edhe përtej kufirit. Në një shoqëri ku migrimi është bërë përditshmëri, dyert e shtëpisë shpesh mbeten të hapura pikërisht për idenë e kthimit.

Nënat ruajnë çelësat e dhomave që rrallë hapen. Mbajnë shtëpi ku gjithnjë e më pak jetohet, e gjithnjë e më shumë pritet. Dhe pothuajse secila ka të njëjtën fjali:

„Le të shkojnë, le të shohin botën, vetëm të kenë ku të kthehen.“

Në këtë mund të fshihet edhe thelbi i gjithë problemit. Të rinjtë largohen sepse kërkojnë të ardhme, por familjet duan të ruajnë mundësinë e kthimit të tyre. Kur humbet adresa, shumë njerëz ndihen sikur ngadalë po humbin edhe lidhjen simbolike me vendin që i përkasin.

Gratë në Luginë të Preshevës për këtë shpesh flasin me zë të ulët, pa protesta e fjalë të mëdha. Por pikërisht në atë heshtje shihet sa shumë i ka ndryshuar largimi jetën e përditshme. Dikur shtëpitë ishin plot me fëmijë e mysafirë, sot janë të mëdha e të qeta. Kanë mbetur prindërit, fotografitë në mure dhe pritja e festave kur familja për pak kohë mblidhet sërish.

Pasivizimi prandaj për shumëkënd nuk është vetëm çështje burokracie. Ai bëhet çështje emocionesh, përkatësie dhe frike se një ditë kthimi nuk do të jetë më i mundur – as në letër, as në realitet.

Shpërndaje në: