Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, së bashku me kryetarin e Kuvendit Komunal, Driton Rexhepi, dhe ndihmësin e tij, Levent Qazimi, janë pritur në Tiranë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Sipas njoftimit të Pajazitit, gjatë takimit është zhvilluar një bisedë e hapur dhe përmbajtësore për një sërë çështjesh me interes për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Delegacioni nga Bujanoci e ka falënderuar ministrin Hoxha për angazhimin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës në forume dhe takime të ndryshme ndërkombëtare, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Shqipërisë po ofron përmes institucioneve të saj.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për angazhimet e autoriteteve lokale lidhur me hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc, projektet që po realizohen në komunë, si dhe mundësitë për mbështetjen e iniciativave të reja nga Tirana zyrtare. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe fëmijëve me nevoja të veçanta, ku, sipas Pajazitit, është siguruar mbështetje për një projekt që synon përmirësimin e shërbimeve për këtë kategori.
Në mesin e temave të trajtuara ka qenë edhe çështja e pasivizimit të adresave, e cila prej vitesh konsiderohet një nga problemet më serioze me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo dukuri ka ndikuar në jetën e shumë qytetarëve, duke krijuar vështirësi në realizimin e të drejtave të tyre dhe duke ngritur shqetësime të vazhdueshme në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas postimit të kryetarit Pajaziti, ministri Hoxha ritheksoi se sensibilizimi dhe gjetja e zgjidhjeve për problemet e shqiptarëve të Luginës mbeten ndër prioritetet e diplomacisë shqiptare. Ai veçoi çështjen e pasivizimit të adresave dhe nevojën për integrimin më të madh të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke nënvizuar se këto tema do të vazhdojnë të trajtohen edhe në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur çështja e pasivizimit të adresave po zë gjithnjë e më shumë vend në diskutimet politike dhe diplomatike që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Përfaqësues institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria, organizata të shoqërisë civile dhe mekanizma ndërkombëtarë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me pasojat që kjo praktikë ka për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit theksuan nevojën për koordinim të mëtejshëm ndërmjet institucioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, me qëllim avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe adresimin e sfidave me të cilat ata vazhdojnë të përballen.
![]()


