DIASPORA DHE PËRKATËSIA

Pasivizimi dhe ndjenja se je i huaj edhe atje edhe këtu

Foto: www.albanianregistry.org

Në Luginë të Preshevës sot po rriten gjenerata të rinjsh shqiptarë që gjithnjë e më shpesh kanë ndjenjën se i përkasin disa vendeve njëkohësisht – dhe ndoshta askund plotësisht. Jeta e tyre zhvillohet mes Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe mes Vjenës, Cyrihut, Hamburgut dhe Bazelit. Mes gjuhës që flasin në shtëpi dhe gjuhës në të cilën studiojnë ose punojnë. Mes familjes që i lidh me vendlindjen dhe realitetit që i shtyn drejt largimit.

Migrimet nga Lugina e Preshevës nuk janë dukuri e re. Pothuajse nuk ka familje që të mos ketë dikë në diasporë. Largimi prej dekadash është pjesë e përditshmërisë dhe strategjisë familjare të mbijetesës. Megjithatë, ajo që dikur ishte punë e përkohshme në mërgim sot gjithnjë e më shpesh bëhet shpërngulje e përhershme e gjeneratave të tëra.

Sidomos mes të rinjve rritet ndjenja se të ardhmen duhet ta kërkojnë jashtë vendit ku kanë lindur. Arsyet janë të shumta: tregu i kufizuar i punës, zhvillimi ekonomik i ngadalshëm, tensionet politike që zgjasin prej vitesh, ndjenja e margjinalizimit institucional, por edhe mënyra globale e jetesës që çdo ditë, përmes rrjeteve sociale, u shfaq të rinjve mundësi të tjera.

„Këtu kam familjen dhe kujtimet, por nuk shoh jetë të sigurt për veten“, thotë E. A. (23) nga Presheva, student në Prishtinë. „Kur shkoj në Zvicër te të afërmit, ndihem si i huaj. Kur kthehem këtu, përsëri kam ndjenjën se nuk jam plotësisht pjesë e sistemit. Si të qëndrosh gjithmonë mes dy botëve.“

Pikërisht kjo ndjenjë e „jetës mes dy botëve“ bëhet një nga përvojat kyçe të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Ata shpesh rriten me idenë se largimi është normal dhe i pritshëm. Në shumë familje suksesi nuk matet më me faktin nëse i riu do të ndërtojë jetë në qytetin e vet, por me shpejtësinë me të cilën mund të largohet.

Një atmosferë e tillë ngadalë ndryshon edhe vetë idenë e shtëpisë. Dikur shtëpia ishte vend sigurie dhe qëndrueshmërie. Sot për shumë të rinj bëhet stacion i përkohshëm mes dy udhëtimeve. Shtëpitë mbeten, familjet mbeten, por jeta e përditshme zhvendoset diku tjetër.

Njëkohësisht, diaspora mbetet e pranishme fuqishëm në jetën e komuniteteve lokale. Në verë qytetet e Luginës së Preshevës përkohësisht mbushen sërish me makina me targa të huaja, kafenetë janë plot, organizohen dasma dhe mblidhen familjet. Atëherë, për një çast, krijohet përshtypja e jetës dhe e kthimit. Por, tashmë në fund të gushtit, rrugët sërish bëhen të qeta.

Nga këndvështrimi sociologjik, po lind një gjeneratë e re e të rinjve që emocionalisht i përket Luginës së Preshevës, por ekzistencialisht e sheh të ardhmen diku tjetër. Kjo krijon një hendek të thellë identitar. Të rinjtë duan njëkohësisht të ruajnë gjuhën, zakonet dhe ndjenjën e përkatësisë, por edhe të jetojnë në shoqëri që ofrojnë stabilitet, mundësi përparimi dhe parashikueshmëri.

„Prindërit e mi gjithmonë më thonë të mos harroj nga vijmë. Por, sinqerisht, ndonjëherë kam ndjenjën se nuk e di më kujt i përkas vërtet“, thotë L. B. (19) nga Bujanoci, familja e të cilit jeton mes Serbisë dhe Gjermanisë.

Në këtë kontekst, çështja e pasivizimit të adresave e thellon më tej ndjenjën e pasigurisë. Për shumë familje adresa nuk është vetëm çështje burokratike, por simbol i lidhjes me vendin e origjinës. Kur të rinjtë, që për vite studiojnë ose punojnë në megrim, humbasin lidhjen administrative me qytetin e tyre, shumëkush e përjeton si fshirje graduale të ndjenjës së përkatësisë.

Pasojat e proceseve të tilla nuk janë vetëm demografike. Ato janë edhe kulturore, emocionale e shoqërore. Shkollat kanë më pak nxënës, fshatrat mbeten pa familje të reja, e komunitetet lokale ngadalë humbin gjenerata që mund të ishin bartëse të zhvillimit. Problemi më i madh ndoshta nuk është vetëm largimi, por fakti që gjithnjë e më pak të rinj kthehen me idenë për të ndërtuar këtu jetën e tyre të përhershme.

Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, shumë të rinj shqiptarë nga Lugina e Preshevës ende ruajnë lidhje të forta emocionale me vendin e tyre. Ata largohen, por nuk e ndërpresin marrëdhënien me vendlindjen. Vijnë në verë, ndërtojnë shtëpi, investojnë në familje dhe fëmijëve u përcjellin rrëfime për vendin prej nga vijnë.

Në këtë fshihet një mesazh i rëndësishëm: edhe kur jeta shkon larg, nevoja për përkatësi mbetet.

Prandaj çështja e së ardhmes së Luginës së Preshevës sot nuk mund të shihet vetëm përmes ekonomisë dhe statistikës. Ajo lidhet me një pyetje shumë më të thellë – a besojnë ende të rinjtë se këtu mund të kenë një jetë në të cilën do të duan të kthehen.

Sepse asnjë komunitet nuk zhduket kur njerëzit largohen. Komuniteti fillon të zhduket kur fëmijët e tij pushojnë së besuari se i përkasin atij.

Shpërndaje në: